Skënderbeu ka pësuar një revolucion tronditës. Ndryshimet drastike kanë prekur jo vetëm organikën, por edhe financat. Dukshëm nuk kanë “yjet” e një edicioni më parë dhe as nuk vlejnë sa vjet, por ky fakt nuk ka ndikuar aspak tek ecuria.

Të rinjtë premtues, edhe pse nuk vlejnë miliona, kanë të njëjtin mentalitet në fushë dhe vazhdojnë të udhëheqin kampionatin. Me 5 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje kanë grumbulluar 17 pikë. Por më shumë se ky bilanc, dëshmi e superioritetit është fakti që kanë mposhtur rivalë direkt si Partizani, Kukësi apo Flamurtari.

Bardhekuqtë e drejtuar nga Orges Shehi u kanë dhënë leksion edhe skeptikëve. Gjithsesi, nëse do të bënim një krahasim mes ekipit të vjetshëm dhe këtij aktual, diferencat janë të mëdha, jo vetëm në emra, por edhe në vlerë financiare.

Por ky Skënderbe nuk ka nevojë për shifra dhe po e tregon më së miri se me një ekip të ri, ku mosha mesatare është 23 vjeç, po lufton kokë me kokë me Partizanin për kreun e klasifikimit, me vetëm 2 pikë më pak se kryeqytetasit.

Ndryshimi i parë që bie në sy, veç emrave, është edhe vlera totale e Skënderbeut në varësi të lojtarëve që kishte në përbërje. Nëse këtë vit vlejnë 4.45 milionë euro (sipas llogaritjes nga ana e “Transfermarkt”), vjet kushtonin plot 7.9 milionë euro. Megjithatë edhe pse kushtojnë 3.5 milionë euro më pak, mbeten diktues në këtë kampionat.

Defensiva

Ndryshimet nisin me Orges Shehin. Portieri dhe kapiteni i sezonit të kaluar tashmë ka marrë “timonin” e ekipit. Megjithatë, vendin e lënë bosh prej tij po e mbulon më së miri Aldo Teqja, që nga ndeshja në ndeshje po ofron garanci në katërkëndor.

Mbrojtja nuk i ka shpëtuar absolutisht revolucionit, ndërsa të vetmit që kanë mbetur nga “garda e vjetër” janë Kristi Vangjeli dhe Marko Radas. Dy emra me peshë, që dashur pa dashur injektojnë te të rinjtë besim.

Mungon Bajram Jashanica siç dihet, i dënuar për përdorim dopingu. Por jo vetëm, pasi edhe Gledi Mici me Tefik Osmanin nuk janë më, i pari vijon karrierën te Shkëndija e Tetovës, ndërsa i dyti te Teuta. Ka rezistuar edhe Fidan Aliti nga vjet, megjithatë risitë e këtij reparti janë pa dyshim Kaba Sambou, Bruno Lulaj e Leonit Abazi.

Mesfusha

Me largimin e Sabjen Lilajt, Saud Sahitit, Emiljano Vilës, Bakari Nimagës dhe Afrim Takut (që në janar ky i fundit) u duk se Skënderbeu do të “shpërbëhej”. Edhe pse dikush iku me polemika e të tjerë në paqe të plotë me drejtuesit, skuadra nuk e humbi kurrë stabilitetin.

Eksperienca e Gjergji Muzakës (që i ofroi besnikëri klubit), po ashtu edhe grinta e Bruno Ditës, tregojnë që vetëm në vështirësi nuk është kjo skuadër. Së bashku me ta, është edhe “motori” i palodhur Demte apo Guedj, hera-herës në rolin e “ekranit”, po justifikojnë besimin e trajnerit por Ka rilindur Nazmi Gripshi, i cili edhe pse vjet nuk kishte asnjë minutë në këmbë, këtë edicion po bën diferencën.

Dejvi Bregu është “xhevahiri” i këtij klubi, i cili po kërkon konfirmimin. Ndërsa Krasniqi, Oto Xhon, Guindo, Hoxhaj, apo Fili po mundohen që të bëjnë të harrohet Soue. Përtej fakteve që u përmendën më lart dhe stolit që nuk është më aq i “artë” në alternativa, me plot gojën mund të thuhet se Skënderbeu ka befasuar në tetë javët e para.

AFRIME

Dejvi Bregu

Ardit Hoxhaj

Bruno Lulaj

Oto Xhon

Zenel Gavazaj

Almir Ajzeraj

Saliu Guindo

Aldo Qoshku

Realdo Fili

Enes Isufi

Renato Ziko

Nasuf Ibrahimi

Arnaud Guedj

LARGIME

Orges Shehi (i tërhequr nga futbolli)

Ali Soue

Sabjen Lilaj

Xhejms Adeniji

Suad Sahiti

Enis Gavazaj

Gledi Mici

Tefik Osmani

Emiljano Vila

Bakari Nimagahekuq.

Sulmi

Të mendosh që bëhet fjalë për një repart që ka ndryshuar totalisht, shifrat tregojnë të kundërtën. Gjithkush mendonte se ky ekip do të vuante pa fund pas largimit të Gavazajt e Xhejmsit dhe mbi të gjitha “Këpucës së Artë”, Ali Soue. Vërtet nuk e kanë më një “bomber” tipik, por në Korçë kanë dëshmuar se dinë që të shënojnë të gjithë.