Shqipëria pësoi humbjen e parë në Ligën e Kombeve, duke u mposhtur në “Hampden Park” nga Skocia 2-0. Trajneri Christian Panucci e nis këtë takim me tre ndryshime në formacion, edhe pse tre ditë më parë fitoi 1-0 me Izraelin.
Pasiguritë që kishte ai i tregoi qartë në fushë dhe në fund mori një shuplakë nga skocezët.
Me këtë humbje kuqezinjtë renditen në vend të dytë në Grupin 2 në Ligën C me tre pikë, aq sa Skocia që kryeson grupin për shkak të golaverazhit, ndërkohë Izraeli qëndron në fund me 0 pikë.
Ndeshja nisi mirë për vendasit që pas 5’ minutash lojë japin sinjalin e parë me anë të McGregor, por Strakosha pret pa vështirësi.
Skocezët sulmojnë sërish dhe vetëm falë portierit kuqezinjtë shpëtojnë nga gjuajtja e Mulgrew (10’). Në këto minuta Skocia dominon lojën, e cila është spostuar në gjysmëfushën e Shqipërisë.
Kuqezinjtë i shpëtoi vetëm shtylla, pas një gjuajtje të frikshme të Naismith gjatë ekzekutimit të një goditjeje dënimi nga McGinn (24’). 4’ minuta përpara fundit Skocia kaloi në avantazh me anë të Naismith, por arbitri sinjalizoi për pozicion jashtë loje.
Një minutë më pas kuqezinjtë përgjigjen me Memushaj, i cili provon me një gjuajtje nga jashtë zonës, por nuk ka shënjestrën e duhur dhe kjo pjesë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Me të nisur pjesa e dytë Panucci, bëri zëvendësimin e parë duke hedhur në fushë një mbrojtës si Prenga, për një mesfushor sulmues si Grezda. Gjithsesi zëvendësimi nuk rezultoi i suksesshëm, pasi Naismith e shfrytëzoi në maksimum krosin e Robertson dhe me kokë gjuan drejt portës.
Topi fatkeqësisht përplaset me Gjimshitin dhe përfundon në rrjetë (47’). 4 minuta më vonë kuqezinjtë kanë mundësinë më të mirë për të barazuar ndeshjen, por Balaj ndalet nga McGregor, që bëri një pritje të shkëlqyer duke e dërguar topin në këndore.
Në aksionin e radhës Lilaj provon me një gjuajte të fortë nga distanca, por sërish McGregor i thotë jo golit (53’). Në disavantazh kuqezinjtë hidhen në kërkim të golit të barazimit dhe Balaj ka sërish një tjetër mundësi të shkëlqyer, por nuk arrin të shfrytëzojë topin e servirur nga Ndoji (66’).
Në aksionin e radhës, skocezët fitojnë një goditje këndi dhe shënojnë golin e dytë. Naismith përfitoi nga dalja e gabuar e Strakoshës dhe me një gjuajte të fortë me kokë dyfishoi shifrat (68’).
Skocia kontrollon lojën dhe i afrohet golit të qetësisë, por Strakosha e pret pa vështirësi gjuajtjen e Armstrong (72’). Në minutat e mbetura kuqezinjtë i afrohen më tepër portës së kundërshtarit, por nuk kanë efikasitet përpara.
Pavarësisht disa aksioneve të rrezikshme, ndeshja u mbyll me suksesin e Skocisë që debutoi me fitore në Ligën e Kombeve. /EDS/