Lojtarët bojkotojnë stërvitjen e parë te Tirana. Viti 2023 nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme te bardheblutë, pasi skuadra ka përjetuar një situatë të pazakontë për një klub si ai bardheblu, i cili nëpërmjet pjesëmarrjes në Europë ka siguruar të ardhura të rëndësishme nga UEFA.
Skuadra ka bojkotuar stërvitjen e parë të vitit, pasi nuk është paguar në kohë nga drejtuesit, duke krijuar një situatë që nuk ishte përjetuar te kampionët në fuqi në vitet e fundit. “Panorama Sport” ka mësuar se futbollistët nuk kanë dalë në stërvitjen e parë që ishte planifikuar më 3 janar, pasi kanë kërkuar që të paguhen për dy muajt e fundit. Mësohet se kjo është vonesa që klubi u detyrohet atyre, ndërsa për stafin teknik dhe mjekësor, vonesa arrin deri në 6 muaj rroga të padhëna.
SITUATA – Në fakt, situata ka qenë e nderë që prej dhjetorit 2022. Lojtarët kanë pritur një takim për likuidim më 30 dhjetor, por gjërat nuk kanë shkuar siç duhet dhe në janar skuadra ka bërë revolucion. Në datën 3, skuadra ka vendosur për bojkot dhe paçka se ka pasur një takim me zyrtarë të klubit nuk është kthyer pas.
Gjatë ditës së djeshme, ekipi si fillim u grumbullua në “Selman Stërmasi” ku zhvilloi një mbledhje të shpejtë me presidentin Refik Halili. Mbledhja nuk ka qenë e gjatë, ndërsa presidenti ka qetësuar grupin për atë që ndodhi.
Më pas Orges Shehi dhe grupi, nën garanci janë spostuar në “Skënder Halili” ku kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore për këtë vit. Pas kësaj ngjarjeje pritet që drejtuesit të vihen në lëvizje për të zgjidhur sa më parë këtë telash, para se situata të bëhet problematike duke rrezikuar të pasqyrohet edhe në fushën e lojës.
Paralelisht me ngërçin me lojtarët, Tirana është e bllokuar edhe nga FIFA dhe nuk mund të bëjë merkato, pasi i janë bllokuar llogaritë bankare për shkak të mospagesave të detyrimeve ndaj ish-futbollistëve.