Elis Bakaj është për momentin pa skuadër. Sulmuesi shqiptar mbylli aventurën e tij me Rukth në kampionatin bjellorus e për momentin është në kërkim të një ekipi të ri. Dëshira e lojtarit është të luajë sërish jashtë Shqipërisë dhe ka zgjedhur të qendrojë në Rumani për shkak të familjes së tij.

Mediat rumune bëjnë me dije se Dinamo Bucuresti i ka bërë një ofertë 34-vjeçarit për të afruar gjatë kësaj merkato. Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtuesit e Dinamos për mediat rumune, ndërsa një gjë e tillë e ka pranuar edhe vetë Bakaj.

“Kam biseduar me dikë nga Dinamo, por nuk ka qenë asgjë konkrete, vetëm fjalë. E di që kjo nuk është një kohë e mirë. Nëse do të më kishit pyetur 10 vjet më parë nëse do të vija në Dinamo, në një pozicion të ngjashëm, nuk do të kisha ardhur. Tani do të vija, jam 34 vjeç, kam përvojë dhe e di si mund t’i qasja situatës. Mendoj se mund ta ndihmoj Dinamon, ndihem shumë mirë fizikisht.

Është turp kjo që ndodh te Dinamo. Të gjithë duan që Dinamo të jetë aty ku ka qenë më parë, jo vetëm tifozët e skuadrës. Njerëzit duan ekipe me traditë, duan Steauan, duan Dinamon, duan Rapidin.

Ka skuadra që luajnë mirë për 5 vite dhe pastaj largohen”, deklaroi Bakaj. Nëse do të rrihet akordi mes palëve, Bakaj do të rikthehet te Dinamo pas 10 vitesh pasi ka luajtur me këtë skuadër edhe sezonin 2011-12./newsport/