Telashe për një nga skuadrat e Serisë A, Sampdoria, pasi presidenti i saj Massimo Ferrero ka përfunduar në qendër të hetimeve të Guardia di Finanza. Presidenti i ekipit gjenovez akuzohet për mashtrim me paratë, përdorimin e faturave falso, autoriciklim dhe përdorim të ardhurash apo të mirash materiale që vijnë nga ilegaliteti.
Bëhet fjalë për një shumë prej 2.6 milionë eurosh në total dhe e përfshirë është edhe skuadra e Sampdoria, pasi janë përdorur parà që vijnë nga ky klub. Hetimet kanë nisur nga Prokuroria e Romës, që ka lëshuar edhe një mandate për të bllokuar llogaritë e presidentit Ferrero, ndërkohë që të përfshirë në hetime janë edhe 5 persona të tjerë.
Për sa i përket përfshirjes së skuadrës së Sampdoria, bëhet fjalë për një sekuestrim të shumës prej 200 mijë euro, që kanë lidhje me transferimin e Pedro Obiang të skuadra e West Ham në vitin 2015.
Por presidenti Ferrero ka përdorur riciklim parash edhe në sipermarrje të ndryshme që ai ka në dispozicion, të cilat janë pjesë e hetimit.