Ndeshja e sotme Vllaznia- Kinostudio ka qenë më e rëndësishmja e javës së tetë të kampionatit të futbollit të femrave ngaqë ndesheshin me njëra- tjetrën dy pretendentet kryesore për titullin kampion.

Por në fakt, rezultatin 7-0 i fiksuar në fund të takimit tregon se në fushë nuk ka ekzistuar ky rivalitet. Këtë e pranon edhe vetë trajneri i ekipit të Kinostudios Gëzim Gjonpalaj që pas ndeshjes u shpreh: “Sigurisht që nuk jam i mërzitur shumë nga kjo humbje sepse se e prisnim në njëfarë mënyre.

Përballeshim me një kundërshtar shumë të fortë ndërkohë që shumica e ekipit tonë janë vajza vetëm 17 vjeçe. Të them të drejtën nuk e prisja një humbje kaq të thellë por gabuam në disa momente me anë të portieres apo dhe të lojtareve të tjera.

Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë të rivalizojmë me aq sa kemi mundësi. Kuptohet që ndaj Vllaznisë është gjithmonë e vështirë. Ajo ka në përbërje të saj shumë lojtare të kombëtares, ka futbolliste nga Mali i Zi dhe nga Kosova ndërkohë që ne kemi vetëm një futbolliste të kombëtares.

Nuk është turp që Vllaznia të të mundë edhe 10-0”. Një javë më parë Kinostudio fitoi ndaj Apolonisë ndaj një tjetër rivaleje dhe duket se do të jetë sërish ajo rivalja kryesore për ekipin shkodran pavarësisht humbjes së sotme.
© shkodrasport.com