Kamza është përjashtuar nga Superliga dhe prej vitit të ardhshëm, ekipi kryeqytetas do të luajë në Kategorinë e Dytë. Një dënim historik ky në kampionatin shqiptar, që fatkeqësisht tregon edhe njëherë nivelin e ulët të elitës. Presidenti Naim Qarri është një nga njerëzit që ka investuar për këtë skuadër, por prej ditës së djeshme gjithçka është hedhur poshtë.

Dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti, la pasoja të rënda tek kamzalinjtë. Qarri po gjykohet nga drejtësia, ndërsa Komisioni i Disiplinës e ka dënuar me 36 muaj përjashtim nga çdo aktivitet sportiv.

Për herë të parë, Naim Qarri ka folur për newsport.al. Nuk preferon të zgjatet por tregon se nuk është i mirëinformuar rreth asaj që ka ndodhur. “Nuk e di se çfarë është bërë sepse jam brenda në shtëpi dhe nuk kam dalë. Nuk mund të flas sepse nuk jam i mirëinformuar“, tha fillimisht ai.

I pyetur më pas rreth dënimit të Kamzës ku u përjashtua nga Superliga si dhe u rrëzua dy kategori më poshtë, presidenti Qarri ironizoi vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit duke thënë: “Çfarë të them? Dy kategori më poshtë, mund të them se mirë ia kanë bërë…”

Çfarë do të ndodhë me skuadrën kryeqytetase në vazhdim dhe vetë presidentin Qarri? Për këtë tha: “Për këtë çështje do të flas me avokatin tim. Unë nuk i njoh mirë ligjet“, përfundoi për newsport.al Naim Qarri.