Besëlidhja është e destinuar që edhe në sezonin 2024-2025 të militojë në Kategorinë e Dytë, një nivel jo i pranueshëm, duke ditur edhe historinë e futbollit lezhjan. Në sezonin e shkuar, Besëlidhja pagoi gabimet në shtëpi, kryesisht në përballjen e fazës së dytë me Tërbunin, që u mbyll në barazim.

Nëse lezhjanët do ta kishin fituar këtë sfidë, sot do të ishin duke bërë planet për ndërtimin e skuadrës së Kategorisë së Parë. Edhe në “play-off” nuk arritën që të triumfonin kundër Sopotit. Kështu që, në këtë mënyrë, ekipi duhet të “shtrëngohet” që objektivin ta realizojë në edicionin në vazhdim. Për momentin, asgjë nuk po lëviz në Lezhë sa i përket Besëlidhjes të sezonit 2024-2025.

Drejtuesit nuk kanë vendosur ende nëse do të vazhdojnë me trajnerin Dritan Smajli apo do të gjejnë “timonier” të ri, si edhe për futbollistët që do të afrojnë për të realizuar ngjitjen në të Parën.

Nga biseda të ndryshme nën zë thuhet se trajneri Dritan Smajli ka pëlqimin dhe miratimin e Kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu dhe familjes Noka për të vijuar sërish punën me Besëlidhjen edhe për sezonin e ri, por në kampin lezhjan ende s’ka një datë konkrete, me skuadrën që vazhdon pushimet dhe gjithçka ndoshta pritet të qartësohet ditët e ardhshme.

Deri më tani, nga Besëlidhja janë larguar qendërmbrojtësi Redinel Gjikolaj dhe mesfushori i krahut Kristian Jaku, i pari drejt Dinamos në Superiore dhe i dyti drejt Burrelit në Kategorinë e Parë.
Maringlen ZHIVANI