Mirë apo keq, Vllaznia bëri disa ndërhyrje në merkato dhe skuadrën po e bën nga e para me disa ndryshime. Me largimin e Krymit dhe Adilit, skuadra duket sikur u lëkund pak, ndërsa me ardhjen e Kristijan Vulajt, Lorik Boshnjakut, Herald Markut, Marko Juriç dhe Dajan Shehit, mbrojtja është blind, ashtu edhe mesfusha, ndërsa sulmi bëhet ndryshe nga sezoni i kaluar, shto këtu edhe rikthimin e Kaina Nunes nga Kastrioti në formë huazimi.
Edhe stoli i rezervave do të jetë më i plotë. Pa harruar të rinjtë e tjerë që, skuadra i ka me shumicë dhe që janë gati për të kapur një shans te Vllaznia.
Në vazhdim, Vllaznia pritet të luajë me një 11-she të tillë, duke filluar nga Zogoviç në portë, Gurishta, Shehi, Juriç dhe Hakaj në mbrojtje. Në mesfushë, Jonuzi, Boshnjaku dhe Marku. Sulmi është i përbërë nga treshja Vulaj, Latifi dhe Aralica.
Kështu, që të gjithë këta futbollistë janë gati për të qenë në fushën e lojës në ndeshjen e parë ndaj Universitatea Kraiova, më 21-korrik, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 21:00.
Maringlen ZHIVANI