Eshtë zhdukur përfundimisht një nga klubet më të njohura të futbollit italian, Livorno, që ishte dy herë nënkampion i Italisë në vitet e para të Serisë A. Klubi i njohur toskan, tashmë me vendim gjykate nuk ekziston më dhe bashkë me të zhduket edhe historia e AS Livorno Clacio, i cili në vitin 2006 mori pjesë edhe në Kupën UEFA.

Klubi ra dy vite rradhazi nga kategoria dhe përfundoi te amatorët, pasi kishte falimentuar për shkak të borxheve të shumta dhe keqmenaxhimit që iu bë nga drejtuesit. Vendimi i fundit i gjykatës së Livornos, e zhduk atë përfundimisht dhe i hap rrugë vazhdimësisë së një klubi të ri të krijuar nga zero, Unione Sportiva Livorno 1915.

Tashmë, njolla e turpit për zhdukjen e historisë së një klubi, që kishte luajtur për shumë vite në Serinë A dhe ka pasur në rradhët e tij futbollistë shqiptarë dhe shkodranë, si Erjon Bogdani dhe Armando Vajushi, u mbetet drejtuesve të fundit të tij, mes të cilëve është edhe Andrea Agostinelli.

Ish-trajneri i Partizanit dhe Skënderbeut kishte rolin e drejtorit teknik në vitin e tmerrshëm, kur skuadra historike italiane u zhduk nga harta e futbollit. Si për ironi të fatit, në vendimin e gjykatës saktësohet se klubi i vjetër i detyrohet atij para.
Maringlen ZHIVANI