Zbulohet emri i ekipit që dëshiron të marrë shërbimet e sulmuesit shkodran Rubin Hebaj. Ai është Nk Domzhale, një nga tre ekipet më të njohura të Sllovenisë i cili edhe në sezonin e fundit ka arritur të fitojë kupën e këtij vendi por edhe jetë ndër më të mirët edhe në kampionat. Drejtuesit e saj kanë qenë në Shkodër kohë më parë teksa e kanë ndjekur sulmuesin 19 vjeçar në ndeshjen Vllaznia- Partizani ku ai ka shënuar për kuqeblutë dhe kanë mbetur të kënaqur me paraqitjen e tij.

Ata kanë qenë nën shoqërinë e ish- futbollistit të Vllaznisë Edi Martini i cili ka qenë njeriu që ua ka sugjetuar këtë lojtar. Thuhet se që në atë moment, kanë dhënë OK-in për marrjen e këtij futbollisti me shumë të ardhme. Ditët e fundit bisedimet kanë avancuar dhe thuajse çdo gjë është mbyllur për këtë transferim. Edhe klubi shkodran duket se nuk ka ndër mend ta pengojë nisur nga disa klauzola që ka në kontratën me të çka ia lejon transferimin në një klub jashtë vendit. Gjithsesi duhet pritur edhe pak ditë që gjithçka të mbyllet. Hebaj ka qenë i angazhuar deri të hënën në darkë me kombëtaren U-21 dhe sot mund të udhëtojë drejt Sllovenisë për të mbyllur këtë kalim. Natyrisht që do të ishte një humbje jo e vogël për Vllazninë sepse në sezonin e fundit paraqitjet e tij kanë qenë shumë të mira dhe ka arritur të shënojë edhe 4 gola.

© shkodrasport.com