Arne Slot këmbëngul se Liverpuli, që po lufton për titullin dhe ndjekësi më i afërt i tyre, Arsenali, duhet të kishin luajtur në të njëjtën mbrëmje këtë javë për ta bërë orarin e Premier Ligës “më të drejtë”.
“Është një situatë unike dhe për këtë arsye mendoj se do të kishte qenë më e drejtë nëse të katër ekipet do të kishin luajtur në të njëjtën ditë,” tha Slot.
“Kemi më shumë se mjaftueshëm kohë për t’u rikuperuar për ndeshjen e së dielës, kështu që nuk është problem për ne. Por më vjen keq për Evertonin që duhet të luajë të mërkurën në mbrëmje dhe pastaj të ketë një ndeshje në orar të hershëm të shtunën. Pozitivja është se ata luajnë në shtëpi dhe e di sa shumë mund të ndikojnë tifozët e tyre në ndeshje. Pashë ndeshjen e Arsenalit. Ne luajmë kundër Fulhamit në ndeshjen tjetër, kështu që do të ishte e çuditshme po të mos e shihja. Por pas rezultatit 2-0 (për Arsenalin), kalova te ndeshja Mançester Junajtid kundër Notingem Forestit, e cila ishte gjithashtu interesante për t’u parë”.
Fulhami i shkaktoi shumë probleme Liverpulit në “Anfield” në dhjetor, kur kryesuesit e Premier Ligës barazuan 2-2, pasi Endi Robertson u përjashtua me karton të kuq herët në atë ndeshje. Antoni Robinson asistoi të dy golat e Fulhamit dhe Slot është i vetëdijshëm për rrezikun që sjell mbrojtësi amerikan.
“Ai është padyshim një kërcënim dhe po zhvillon një sezon të shkëlqyer. Por gjëja e mirë për një mbrojtës të majtë që dëshiron të sulmojë është se ai rrezikon të lërë Mo (Salah) në një pozicion ku ai mund të dëmtojë kundërshtarin. Kjo ka ndodhur disa herë këtë sezon, kur mbrojtësit e krahut sulmojnë dhe më pas, në tranzicion, Mo mund të ndëshkojë skuadrën kundërshtare. Çdo ekip sjell sfidat e veta. Evertoni na solli shumë sfida dhe Fulhami do të bëjë të njëjtën gjë”, shtoi holandezi.