© shkodrasport.com
Smajlaj e Muça, dy medalje ari në mitingun e Tivarit
Dy atletët e Vllaznisë dhe njëkohësisht të kombëtares shqiptare, Izmir Smajlaj dhe Bajram Muça, kanë zënë vende të para dhe kanë merituar medaljet e arta në turneun ndërkombëtar të zhvilluar ditën e hënë në Tivar të Malit të Zi. Ky është një turne i përvitshëm që zhvillohet gjithnjë më 1 maj dhe në të marrin pjesë sportistë nga vende të ndryshme të Rajonit dhe të Europës. Natyrisht pritej me interes gara e kërcimit së gjati e kampionit të Europës Izmir Smajlaj. Ai kishte premtuar para nisjes se do të synonte jo vetëm vendin e parë por edhe të tentojë të thyejë rekordin por në fakt kjo e dyta nuk ka ndodhur. Ai ka kërcyer 7.68 metra por natyrisht që ka ndikuar era e fortë që ka fryrë gjatë garës dhe ajo ka qenë përpara, çka e ka penguar sportistin tonë të japë më të mirën e tij. Smajlaj distancën e mësipërme e ka arritur që në kërcimin e parë dhe duke qenë se ka siguruar vendin e parë, kërcimet e tjera i kanë shërbyer thjesht për të bërë rrahje në pedanë. Natyrisht që objektivat e tij janë për më lart, megjithatë pjesmarrja e përvitshme në mitingun e Tivarit, e ka ngacmuar për të marrë pjesë edhe sivjet dhe për të zënë përsëri vendin e parë, ashtu siç ka bërë zakonisht edhe në vitet e shkuara. Gjithsesi të jesh i pari në mes 15 atletëve që morën pjesë dje në këtë disiplinë,nuk është keq dhe 24 vjeçari shkodran është konfirmuar edhe njëherë si sportist shumë cilësor. Por përveç tij, edhe Bajram Muça ka bërë një paraqitje të mirë duke zënë vendin e parë në garën e 100 metrave me kohën 11″2, natyrisht edhe ai me erë përpara. Këto dy rezultate konfirmojnë momentin e mirë që po kalojnë ato dhe natyrisht kjo falë punës së bërë me dy trajnerët, Vildan Tufi dhe Albert Marashi.