Objektivi i tij për medalje këtë herë nuk është arritur. Kampioni i Europës në atletikë Izmir Smajlaj është renditur vetëm i katërti në Lojërat Mesdhetare që po zhvillohen në Tarragona të Spanjës.
Ai ka kërcyer vetëm 7.85 metra ndërkohë që tre konkurrentë të tjerë kanë kërcyer më shumë dhe janë ngjitur në podium.
Duke folur në lidhje me garën e mbrëmshme, Smajlaj për “Shkodra Sport” është shprehur: “Gjërat nuk më shkuan dhe aq mirë. Ndoshta këtë herë fati nuk ishte me mua.
Kam djegur tre kërcime sepse bëra faull dhe në njërin sidomos, kam qenë vërtetë i pafat sepse ka qenë një kërcim fantastik. Megjithatë ky është sporti dhe nganjëherë duhet të mësohesh edhe me mosarritjen e objektivit.
Nëse unë do arrija thjesht rezultatet e mia më të mira, do të kisha qenë jo vetëm në podium por edhe fitues i medaljes së artë, por gjithsesi më duhet të shoh përpara tashmë dhe të përgatitem për garat e tjera”.
www.shkodrasport.com