Pasditen e sotme ka fituar titullin e dytë rradhazi të Kampionit të Ballkanit në garën e kërcimit së gjati për salla të mbyllura.
Izmir Smajlaj ndjehet mjaft mirë për këtë gjë. Natyrisht që rezultati 7.80 ka qenë jo më i miri i tij por ai e ka një justifikim për këtë.
“Nuk ka qenë rezultati im më i mirë sepse në fakt jam në një periudhe stërvitje me ngarkesa ngaqë stërvitem për gara të tjera më të rëndësishme.
Megjithatë e rëndësishme ishte zënia e vendit të parë dhe mbajtja e titullit të kampionit të Ballkanit.
Vendi i dytë ishte 7.00 metra, çka do të thotë se nuk e vura në dyshim titullin. Sigurisht që jam i kënaqur me këtë arritje”- ka deklaruar për “Shkodra Sport” kampioni shkodran.
Ndërkohë i pyetur për emocionet që ka përjetuar sërish pas ngritjes së flamurit shqiptar edhe në Stamboll, Izmir përgjigjet: “Me ngrit flamurin shqiptar është nder dhe krenari.
Dua të bëhem ambasador i sportit shqiptar te të rinjtë. Të jem një pasqyrë motivimit për to. Jam shumë i kënaqur, rëndësi kishte mbrojtja titullit.
Dua të falenderoj trajnerin tim Gjergj Ruli, sponsorat e mi gjeneral Euro Fish, Sigal, Poliklinikën Gjermane që më ndihmojnë për arritjen e këtyre titujve dhe ju si gazetar që më rrini afër dhe më mbështetni”.
Gjergj KOLA