Ndonëse është në kulmin e karrierës së tij, kohët e fundit nuk i janë ndarë as polemikat.
Izmir Smajlaj ka dëgjuar në disa raste pretendimet e ish- trajnerit të tij, të mirënjohurit Vildan Tufi se gjoja ka gabuar me zgjedhjen e trajnerit të ri.
Por vetë kampioni i Europës dhe dy herë kampioni i Ballkanit, mendon ndryshe.
Ai shpreh mirënjohjes për gjithçka ka bërë në karrierën e tij profesor Tufi por sipas tij, tashmë është histori tjetër.
Për këtë arsye, për “Shkodra Sport”, Smajlaj ka sqaruar njëherë e mirë këtë çështje, duke thënë: “Dua të sqaroj njëherë e mirë çështjen e “divorcit” tim nga trajneri Vildan Tufi.
Unë kam vazhduar jetën në Tiranë, jam fejuar dhe jam duke jetuar aty. Pra jam shkëputur krejtësisht nga Shkodra por ndërkohë jam i federuar me Vllazninë për momentin.
Sa i takon profesor Vildanit, e kam respektuar gjithmonë dhe askush nuk ia heq meritat. Falë tij jam këtu ku jam sot.
Po të mos kishte qenë ai, unë nuk do kisha arritë këto rezultate. E kam konsideruar gjithmonë si prind të dytë, ka bërë një punë të palodhshme me mua dhe më ka qëndruar gjithmonë afër.
Sa i takon trajnerit tim të ri Gjergj Ruli, unë kam besim tek ai. Ka qenë edhe vetë një kërcyes shumë i mirë dhe shpresoj që bashkë me të, t’ia dalim të arrijmë objektivat që kemi vënë. Dikush mund të mendojë që profesor Ruli nuk ka përvojën e duhur por unë mendoj ndryshe.
Edhe suksesi në kampionatin e fundit ballkanik, mendoj se ka brenda edhe meritat e tij.
Edhe rezultati 7.80 që arrita aty, mendoj se është një rezultat shumë i mirë për periudhën e muajit shkurt kur u zhvillua kjo garë”.
© shkodrasport.com