Mbase ka kaluar në heshtje disi por në fakt ky është realiteti. Dyshja që punoi prej vitesh sëbashku dhe mes shumë përpjekjesh e sakrificash ia doli të jetë në elitën e atletikës europiane, tashmë nuk punojnë më me njëri- tjetrin. E kemi fjalën për kampionin e Europës Izmir Smajlaj dhe trajnerin Vildan Tufi. Arsyeja duket se ka të bëjë me spostimin e këtij sportisti në Tiranë për të jetuar dhe në këto kushte, ai e ka patur të vështirë të marrë me vete edhe trajnerin e tij.

Në këto rrethana, kampioni i Europës në fuqi i sallave të mbyllura ka nisur një rrugëtim të ri me një tjetër trajner. Në fakt është presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Gjergj Ruli, ai që është duke u stërvitur prej disa muajsh Izmirin. Kjo gjë padyshim që nuk është pritur mirë nga Tufi megjithatë nuk ka patur asgjë në dorë. Paçka se trajneri i mirënjohur nuk është shprehur ende publikisht në lidhje me këtë çështje, ai kuptohet qartë se nuk i ka pëlqyer që presidenti të bëhet edhe trajner.

© shkodrasport.com