Dritan Smajli dhe Klodian Semina janë plotësisht të bindur se do të arrijnë që të kalojnë me shumë sukses pengesën e radhë, ekipin e Kukësit. Për dy mbrojtësit shtatlartë të Vllaznisë, fitorja me Skënderbeun tani duhet harruar dhe duhet menduar për takimin e kësaj fundjave që skuadra ka me ekipin kuksian. “Nuk duhet të mendojmë se e kemi të lehtë. Madje, duhet thënë se kemi një nga përballjet më të vështira në fushën tonë”, – shprehen njëzëri të dy lojtarët, që duan fitoren e konfirmimit. Smajli Vetëm dy ditë më parë, Dritan Smajli festoi ditëlindjen e tij të 28-të, ndaj kërkon që shokët t’i bëjnë si dhuratë fitoren me Kukësin. “Do të jetë një përballje mjaft e vështirë ajo ndaj Kukësit. Nuk ka takim të lehtë dhe për më tepër në këtë situatë që është kampionati. Megjithatë, dua të vlerësoj lojën në rritje të ekipit tonë dhe për më tepër, atmosferën shumë të mirë që ekziston pas fitores me ekipin e Skënderbeut. Mund të them pa frikë se jemi në rrugë të mbarë pas ardhjes së teknikut Bushati. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në takimin me Kukësin arritjen e fitores do ta kemi të lehtë. Për mendim tim, nuk ka vend në ekipin tonë për të kaluar në vetëkënaqësi. Do të ishte një vetëvrasje, nëse do të trajtonim të lehtë këtë duel. Personalisht e respektoj Kukësin dhe stafin shkodran që e drejton këtë ekip. Por, ne synojmë kupat e Europës, ndaj në fushë do të futemi vetëm për të marrë pikët e plota. Të fitojmë jo vetëm për ne, por më tepër për tifozërinë tonë”, – ka deklaruar mbrojtësi.
Semina Klodian Semina, që pas takimit me Skënderbeun është në dilemë nëse do të jetë përsëri pjesë e Vllaznisë apo do të largohet në drejtim të Kinës. Megjithatë, lojtari dhe stafi drejtues i klubit me në krye presidentin Çela, ende nuk e kanë zgjidhur këtë enigmë. I pyetur nga gazeta për çështjen e qëndrimit te Vllaznia, por edhe për takimin e fundjavës, mbrojtësi tregon gjithçka. “Drejtuesit e klubit dhe të ekipit kanë besim tek unë, edhe pse ende nuk është vendosur asgjë për të ardhmen time. Që pas takimit me Skënderbeun, jehona e asaj fitoreje nuk është se ka zgjatur shumë, të paktën tek ne. Trajneri Bushati, që ka meritën më të madhe në këtë arritje, ka kërkuar menjëherë që ta harrojmë fitoren dhe të shikojmë me kujdes aty ku gabuam, për t’u korrigjuar me Kukësin. Ne e dimë se na pret një tjetër takim i fortë dhe për më tepër, me një skuadër që gjithkund ku luan tregon vlerat më të mira. Megjithatë jemi të përgatitur për të arritur një tjetër fitore tani para tifozërisë sonë. Fitorja me Skënderbeun ka rritur moralin, por edhe përgjegjësinë për ekipin tonë. Askush nuk na fal më që të gabojmë në këtë takim, qoftë edhe me një barazim. Unë kam besim që do të arrijmë një fitore, mbi të gjitha për tifozërinë tonë”, – përfundoi Semina.

Admir URUÇI