Pa diskutim, që është një ndër futbollistët më të mirë, jo vetëm të Vllaznisë, por edhe në kampionatin shqiptar. Sidomos në dy ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë, në fazën e grupeve, Dritan Smajli, ka qenë absolutisht më i miri për kuqeblutë. Jo më kot drejtuesit e klubit shkodran prej një muaji kanë kërkuar që me mbrojtësin lezhjan të rinovojnë kontratën edhe për një vit e gjysmë, ashtu siç bënë javën e kaluar me portierin Mirosllav Vujadinoviç. Madje, ditët e fundit, u fol, edhe sikur Smajli kishte firmosur kontratën e re, por kjo nuk qenka e vërtetë. Ka qenë po vetë ai, se ende nuk ka firmosur kontratën e re me Vllazninë, por nuk ka mohuar faktin se është biseduar gjerësisht për këtë çështje, me drejtuesit e klubit shkodran. Duket se mbrojtësin i kësaj skuadre kërkon kushte të reja, për kontratën e re. “Nuk është e vërtetë, që kam rinovuar kontratën e re me Vllazninë. Normalisht që është diskutuar kjo punë me drejtuesit e klubit, 2-3 herë, por ende nuk është hedhur firma mbi kontratë dhe nuk mund të them me siguri se një gjë e tillë mund të ndodhë, sikurse nuk mund të them se nuk mund të ndodhë. Për momentin ekziston në fuqi, vetëm kontrata e nënshkruar në verën e vitit të kaluar ( pra bëhet fjalë për verën e vitit 2011-të) dhe asgjë më shumë për momentin”, ka thënë në fillim Smajli. Por në fakt Administratori i Përgjithshëm Kujtim Shaba, Drejtori Sportiv Armir Grima si dhe nën/kryetari i Bashkisë së Shkodrës Ritvan Troshani janë ulur dhe kanë biseduar me Smajlin, por duket se ky i fundit kërkon garanci, që në të ardhmen, nëse do t’i vijë ndonjë ofertë nga jashtë, të lihet i lirë, kundrejt një shumë financiare, që do të paguajë në arkën e klubit. Ndoshta këtu është ngërçi i momentit, pasi krerët e klubit shkodran kërkojnë të firmosin kontrata, pa kushte, për një vit e gjysmë, që asnjë lojtarë të mos ketë mundësi të largohet, pavarsisht ofertave të mira, që mund t’u vijnë nga jashtë. Kjo tregon qartë objektivat dhe ambicjet që kanë drejtuesit e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të kenë një ekip pretendent mbi baza të shëndosha dhe të mos përsëriten gabimet e sivjetshme. Vetë Smajli e pohon deri diku këtë fakt, që lidhet me kushtet e mundshme në kontratë. I pyetur nga gazeta jonë për këtë çështje, ai nuk e mohon një gjë të tillë. “Është e vërtetë, që drejtuesit e klubit më kanë kërkuar që unë të rinovoj kontratën për të qenë i disponueshëm për një sezon e gjysmë me kuqeblutë, që do të thotë se nuk mund të largohem para kësaj kohe, edhe nëse mund të paguhet ndonjë lekë në arkën e klubit. Unë u kam kërkuar atyre, që një klauzolë e tillë, të shkruhet në rinovimin e kontratës, që të kem mundësi të lëvizi për jashtë, në çdo kohë, që mund të më vijë një ofertë e mirë dhe bindëse, kuptohet, duke depozituar një shumë parash në arkën e klubit, që edhe kjo mund të citohet në kontratë. Kështu në këtë pikë kanë ngelur për  momentin bisedimet, pasi  nuk kam marrë asnjë përgjigje. Gjithsesi unë vazhdoj punën me përkushtim si më parë dhe shpresoj, që të bëjmë më të mirën me Vllazninë e tanishme”, ka thënë në fund, mbrojtësi Dritan Smajli.

Lezhjani do të mungojnë ndeshjen e radhës në Kupë

Një nga pikat më të forta të Vllaznisë do të mungojë në ndeshjen e radhës, në fazën e grupeve në Kupë. Është një takim shumë deçiziv për shkodranët, përballja e radhës, në Grupin B, ndaj Skënderbeut në Shkodër, ku do të mungojnë “piston” i krahut të djathtë Dritan Smajli. Ai është ndëshkuar me karton të verdhë, në ndeshjen e fundit me Flamurtarin në Vlorë. Deri tani ky karton, rezulton të jetë i treti dhe në këto kushte, Smajli do të mungojë pas 10 ditësh në përballjen me korçarët në stadiumin “Loro Boriçi”. Për shkodranët, por dhe për trajnerin Rudi Vata, do të jetë një mungesë shumë e madhe dhe e rëndësishme, që nuk do të jetë e lehtë për t’u zëvendësuar. Megjithatë deri atëherë duhet parë nëse Vllaznia do të ketë mungesa të tjera apo jo, pasi ka ende kohë. Gjithsesi shkodranët kanë përpara ndeshjen e parë të fazës së dytë, për kampionat, ku do të përballen me Laçin.

Mejdan ZHIVANI