Mbrojtësi i Vllaznisë, Geralb Smajli, ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Star Sport”, që drejtohet nga dyshja Maringlen Zhivani dhe Marinela Matija. Ai foli për ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, por edhe për sa i përket rinovimit të tij tek Vllaznia dhe për lajmin e disa ditëve më parë për interesimin e Shkëndijës.
“Loja në ndeshjen ndaj Kukësit duhet thënë se nuk ishte në nivelin e duhur. Megjithatë, ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse Kukësi kishte bërë mirë në ndeshjet e fundit. Trepikëshi ishte shumë i rëndësishëm në këtë ndeshje.
Ka ndryshuar stafi dhe ardhja e trajnerit Osmani dhe drejtorit Osmani ka ndikuar për mirë, pasi kanë bërë një punë të mirë. Ata na kanë kthyer besimin që na mungonte. Mund të them se edhe çunat janë të motivuar dhe ka një frymë tjetër në ekip. Megjithatë, gjithçka do shikohet në vijim.
Unë jam në fundin e kontratës me Vllazninë dhe në qershor jam futbollist i lirë, por dëshira është që të vazhdoj me Vllazninë. Disa interesime ka pasur, por ato ia kam lënë në dorë menaxherit tim Arbi Laçi dhe ai i di më mirë këto. Për momentin, jam i fokusuar te Vllaznia.
Kontakte dhe biseda për të rinovuar me Vllazninë ka patur, por jo të avancuara. Shpresoj që në vijim të jenë më konkrete bisedimet. Do ulemi të flasim për një kontratë më të mirë normalisht. Dëshira është që të vijoj me Vllazninë, por ajo është edhe në dorën e drejtuesve, jo vetëm në dorën time. E them se dëshira ime është që të vazhdoj me Vllazninë. E pres një kontratë të re nga Vllaznia.
Nuk ka gjë më të bukur se të luash për këto ngjyra, por do e shohim në vijim. Të luash për Vllazninë është një krenari që nuk mund ta përshkruaj. Jam krenar që jam pjesë e Vllaznisë dhe për sa kohë të jem pjesë e saj, do jap më të mirën. Shpresoj të bëhet më e mira. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi.
Jam optimist dhe shpresoj se do dalim në “Final Four”. Kemi një ekip shumë të mirë dhe një gjë të tillë do e shohin të gjithë në ditët në vazhdim. Do vazhdojmë me lojërat e bukura dhe do kënaqen të gjithë tifozët. Si çdo futbollist dhe si çdo tifoz i Vllaznisë dhe i Shkodrës, gjëja kryesore është titulli kampion, por çdo gjë do të ecin me kohën dhe shpresoj që, shumë shpejt ta arrijmë”,-mbylli prononcimin e tij në emisionin “Star Sport”, mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë, Geralb Smajli./M.P/SHKODRA-SPORT.COM/