Fund-sezoni shoqërohet si gjithmonë me bilancet e asaj çfarë ka ndodhur. Secila skuadër gjykon atë çfarë ka arritur. Ajo që është e kënaqur me objektivat, fillon të shohë përpara pa i kushtuar shumë rëndësi asaj se kush dha më shumë dhe kush dha më pak. Ata që kanë dështuar, natyrisht që mundohen të gjejnë fajtorët. Media ndërkohë bën edhe ajo punën e saj. Duke qenë e pandikuar shumë nga këto skuadra dhe gjërat e tyre të brendshme, sigurisht që ajo e ka më të lehtë të gjykojë. Kështu, gazeta “Sport Ekspres” ditën e djeshme ka përcaktuar edhe disa nga 11-shet e sezonit, duke filluar nga ai i më të mirëve, më zhgënjyesi, më problematiku, i të huajve, i U-23 dhe mbi 33 vjeç, më karizmatiku por edhe formacionin e trajnerëve.

Kështu në 11-shen më të mirë të sezonit, ka patur vend edhe për mbrojtësin e djathtë të Vllaznisë Dritan Smajlin. Sigurisht që e meriton sepse ka zhvilluar një sezon konstant. Ndërkohë në formacionin më zhgënjyes kjo gazetë ka vendosur edhe mbrojtësin Elvin Beqiri prej të cilit në fakt pritej më shumë. Në formacionin e të huajve, bëjnë pjesë portieri i Vllaznisë, malazezi Vujadinoviç dhe mesfushori rumun Kristian Dragoi. Në formacionin më karizmatik është edhe Dragoi ndërsa në formacionin më problematik është edhe Semina, për vetë problemet personale që e bënë të largohej nga skuadra në fillim të fazës së dytë. Semina është njëkohësisht në formacionin më të mirë të lojtarëve nën 23 vjeç.