Mbrojtësi lezhjan Dritan Smajli sezonin e ardhshëm do të luajë me Flamurtarin. Lëvizja duket thuajse e përfunduar sepse akordi mendohet të jetë arritur mes palëve. Madje, në njëfarë mënyre, ata mund të kenë nënshkruar një parakontratë për bashkëpunimin në të ardhmen. Futbollisti që ka luajtur për 5 sezone me Vllazninë thuhet se do të përfitojë nga klubi Flamurtari një shumë prej 65 milionë lekësh për një sezon. Pikërisht kjo ofertë, e ka bindur atë të lërë Shkodrën. Në fakt, me këtë të fundit, me skuadrën e tij dhe me tifozët e zjarrtë kuqeblu, Smajli është ndjerë gjithnjë mirë por në kushtet aktuale ai ka ndër mend të provojë një aventurë të re.


Nga ana tjetër, miqve të tij në Shkodër mësohet se ua ka bërë të qartë se për një shumë prej 10 milionë lekësh më pak, ai është i gatshëm të vazhdojë të qëndrojë sërish tek Vllaznia. Por kur tek skuadra shkodrane ai përfiton aktualisht 42 milionë lekë në sezon dhe tek Flamurtari mund të marrë 23 milionë më tepër, sigurisht që çdokush do t’i jepte të drejtë atij të largohej. Arsye tjetër pse mbrojtësi lezhjan mund të zgjedhë Flamurtarin para Skënderbeut dhe Tiranës duket se janë marëdhëniet shumë të mira me trajnerin Ernest Gjoka. Përpos kësaj, mësohet se bashkë me Smajlin drejt Vlorës do të udhëtojë edhe një mik i ngushtë i tij, mbrojtësi i Tiranës Erjon Dushku sepse edhe ai do të firmosë për sezonin e ardhshëm me skuadrën vlonjate.
www.shkodrasport.com