Dritan Smajli, është një nga ata futbollistë që i kanë dhënë shumë kampionatit shqiptar. 34 vjeçari, gjatë karrierës tij ka luajtur për shumë skuadra, por “ajka” ka qenë Vllaznia, Kukësi, apo edhe Tirana.
Pasi ka përfunduar udhëtimin si lojtar, Smajli ka nisur një tjetër aventurë. Sot, ai është trajner i Shënkollit në Kategorinë e Parë.
Në një intervistë të dhënë për newsport.al, lezhjani thekson se vendi jonë ka bërë progres në futboll, por sipas tij, ka një “formulë” që tifozët të rikthehen në stadium dhe të kemi edhe më shumë zhvillim për të ardhmen.
– Si trajner i Shënkollit, si e shihni gjendjen e skuadrës suaj përpara fillimit të sezonit të ri?
Normalisht kemi 5 javë që stervitemi me nga dy seanca në ditë dhe besoj që skuadra është mirë, sidomos në aspektin e kondicionit fizik. Ka dhe 10 ditë nga fillimi i kampionatit dhe gjithë fokusin e kam tek aspekti taktik dhe teknik.
– Cilat janë objektivat e Shënkollit për këtë edicion? Mendoni se mund të bëni ndonjë surprizë?
Në radhë të parë kam ndërtuur një skuadër me moshë mesatare 21-22 vjeç, pasi unë i preferoj shumë lojtarët e rinj, në moshë dhe produkt vendas.
Kam vetëm tre lojtarë me moshën mbi 25 vjeç dhe unë këtë fakt e shoh shumë pozitiv. Objektivat do i shohim gjatë rrugës, pasi nuk më pëlqen të vendos objektiva. Por për një gjë të jeni të sigurt, e kam pranuar këtë detyrë për të qenë i suksesshëm dhe jo të deshtoj.
– E shihni të largët ditën kur të trajnoni në elitën e futbollit shqiptar, apo mendoni të merrni më eksperiencë?
Kam hyrë në vitin e tretë të trajningut dhe besoj kam pasur sukses tek moshat, që deri dje nuk i njihte askush. Bëhet fjalë për U17-tën e Shënkollit, që arrita të dal nënkampion, duke lënë pas akademi shumë të forta, nga të gjitha pikëpamjet.
Unë besoj shumë tek aftësitë e mia, pasi njihem si puntor, sikurse kam qenë futbollist dhe tani trajner. Shumë shpejtë do më shihni dhe në elitë. Kuptohet, do më duhet dhe pak kohë të fitoj dhe unë eksperiencen time.
– Dritan, ju keni luajtur me disa nga klubet më të rëndësishme në vend, si Vllaznia, Kukësi, apo edhe Tirana. Ku keni pasur më shumë rivalitet për të luajtur nga këto ekipe?
Rivalitet kam pasur kudo. Unë kam qenë shumë punëtor, i pafjalë dhe jo lojtar gazetash e facebook, por vetëm lojtar fushe. Kam parë vetëm fushën, punën dhe kam arritur të mposht çdo rival dhe për këtë kam qenë titullar i padiskutushëm.
– Çfarë mendimi keni për merkaton e bëra nga klubet e Superiores dhe cila prej tyre mendoni se ka bërë “goditje” më të rëndësishme?
Merkato kanë bërë pothujse të gjitha skuadrat me shumë afrime, por dhe largime. Mendoj, Tirana Kuksi, por dhe Vllaznia, kanë bërë mirë, pa lënë pas Teutën.
– Kush mendoni si ishte afrimi surprizë i kësaj merkatoje, që ndoshta në fillimin e saj nuk mund të mendohej se do ndodhte?
Padiskutim Kristal Abazaj. Unë nuk e prisja që një lojtar i tillë të kthehej kaq shpejt përsëri në Superiore. Megjithatë kuptohet që kampionatit tonë i bën mirë, por Abazajt nuk e di sa do t’i vlejë një hap i tillë. Mbetet per t’u parë.
– Stadiumet janë bosh. Kush mendoni se është formula për të rikthyer tifozët?
E kam thënë shumë herë, por askush s’po dëgjon. E para, duhet të heqim paragjykimet, pasi një rezultat zhgënjyes ose befasues, tifozët gjithmonë kanë paragjykime.
Ndërkohë që futbolli i njeh të tilla situata. Në Shqipëri nuk duhet të gabosh kurrë, pasi je direkt i paragjykuar. Mirëpo, më e rëndësishmja është, që nuk po kemi besim tek brezat e rinj. Një gjë e tillë lë shumë për të dëshiruar.
– Mendoni se futbolli shqiptar ka bërë përparësi në vitet e fundit? Nëse po, në çfarë drejtimi?
Unë them se po. Të paktën kemi stadiume në kushte optimale. Pra, nuk luajmë më në baltë dhe është për t’i thënë bravo FSHF-së dhe qeverisë. Futbolli tani luhet më shpejtë dhe është më dinamik, gjë që duhet të ndodhë në vazhdimësi. Dua të thëm që të mos te kemi më hapa pas.
– Ku mendoni se duhet të punohet më tepër, për të pasur një zhvillim të shpejtë?
Kam një thirrje për çdo president dhe për çdo trajner. Sa më shumë besim tek të rinjtë dhe tek lojtarët vendas. Unë jam një “partizan” i kësaj metode./newsport/