Gjergj KOLA
Smajli: Vllaznia mundet të marrë pikë me Skënderbeun
Vllaznia duhet të tentojë tani t’I marrë pikë çdo skuadre. Kështu mendon njëri nga lojtarët titullarë dhe më të rëndësishëm të saj, pikërisht Dritan Smajli. Ai ëhstë I mendimit se skuadra nuk ka rënë aq poshtë sa mund ta mendojë opinioni, madje ka diçka për të thënë edhe në lidhje me ndeshjen e kaluar ndaj Kamzës. “Të paktën nga sa shkruhej në media apo flitej në opinionin sportive, kjo ndeshje konsiderohej si shumë delikate, thuhej që Vllaznia do ta kishte shumë të vështirë e shumë gjëra të ngjashme me to. Me gjithë respektin që kam për këtë njerëz që kanë menduar kështu, unë nuk mendoj se Vllaznia ka rënë kaq poshtë sa për të diskutuar fitoren edhe në Shkodër me Kamzën. Vërtetë Kamza mund të kishte pretendimet e saj për pikë, por ne nuk mund të gabonim. Kjo u pa në lojë teksa e kemi dominuar gjatë gjithë kohës atë dhe fitorja ndoshta mund të ishte edhe më e thellë. Unë shoh që skuadra është në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe kjo na jep shpresë për të ardhmen”-ka thënë Smajli në prononcimin e tij. Lojtari që nuk dihet se ku luan, në mesfushë apo mbrojtje, po tregon një formë jashtëzakonisht të mirë sportive. Ai në fitoren e fundit, ishte protagonist në rastin e marrjes së 11-metërshit pas pengimit në zonë nga Ardit Beqiri. Ky moment është prekur jo pak nga drejtuesit e Kamzës që e cilësuan vendimin e gjyqtarit Jemini të padrejtë megjithatë Smajli mendon ndryshe kur thotë: “Ndoshta nuk e ka parë vetëm ndonjëri nga drejtuesit e Kamzës se nuk ishte 11-metërsh se gjithë të tjerët e panë. Unë isha një hap para Beqirit dhe ai më ndërhyri në mënyrë të parregullt. Edhe vetë Arditi (Beqiri) e pranoi se ishte penallti. Po ashtu, dua të them se vetëm unë nuk di të simuloj në zonë dhe nëse u rrëzua, kjo ndodhi pas ndërhyrjes së lojtarit të Kamzës në mënyrë të parregullt. Nuk besoj se është mirë të flitet kështu për të zhvleftësuar ndoshta disi fitoren tonë por ajo ishte e pastër”. Duke folur tashmë në rolin e një lideri të vërtetë tek kjo skuadër, Smajli ka dashur të thotë dy fjalë edhe për sulmuesin Jabllan që më në fund doli tek goli. Ai e vlerëson jo vetëm për golin e shënuar por edhe për lojën në tërësi. “E prisnim që Jabllan të shënonte dhe të na ndihmonte. NUk është shumë e rëndësishmë nëse u zhbllokua në këtë ndeshje por e rëndësishme është që tani të luajë më I qetë dhe të na ndihmojë ashtu siç duhet sepse duke dhënë secili kontributin e vet, edhe skuadra mund të arrijë rezultatet e duhura. Por përveç golit, Jabllan ka qenë protagonist në të gjithë golat e shënuar. Dha asistin e golit të dytë, atë të penalltisë që solli golin e tretë por edhe të katërtin që u shënua nga Gjini. Kemi nevojë për gjëra të tilla, ashtu siç është duke na ndihmuar shumë edhe Hajdari që po gëzon një formë shumë të mirë”- shprehet numri 2 I kuqebluve. Megjithatë, ndeshja me Kamzën tashmë është arkivuar dhe përpara janë dy sfida shumë të rëndësishme, ato me Skënderbeun për kupë dhe Teutën për kampionat. Smajli mendon se Vllaznisë fillimisht duhet t’I karikojë të gjitha bateritë për ndeshjen e sotme me korçarët dhe sipas tij, mundësitë për të marrë pikë, ekzistojnë në këtë ndeshje. “Skënderbeu vërtetë është skuadra kampione dhe pretendente edhe sivjet port ë mos harrojmë se para dy javësh që luajtëm në Shkodër, e kemi dominuar gjatë gjithë kohës ndeshjes. Pikërisht ne jemi sërish edhe në ndeshjen e sotme dhe do kërkojmë patjetër, së paku një barazim që do na ndihmonte në ecurinë tonë për kupë”-ka thënë në fund Dritan Smajli.