Sulmuesi shqiptar, Sokol Cikalleshi ka reaguar pas mos-ftesës së tij nga Kombëtarja e Shqipërisë në Euro 2024. Ai ka treguar se do të pensionohet nga kombëtarja kuqezi, por ka shtuar se nuk ka hatërmbetje, duke uruar bashkëlojtarët e tij.

Trajneri i kombëtares kuqezi, Sylvinho ka publikuar gjatë ditës së djeshme (e hënë) listën preliminare të Shqipërisë për Euro 2024. Megjithatë, lista nuk ishte pa befasi pasi mungonin emra të mëdhenj si Sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni dhe Keidi Bare.

Është pikërisht i pari, sulmuesi Cikalleshi, i cili ka reaguar pas shpalljes së listës së Sylvinhos, duke konfirmuar pensionimin nga kombëtarja kuqezi.

Cikalleshi ka konfirmuar me anë të një postimi në profilin e tij në Instagram se karrierës së tij me fanellën kuqezi i ka ardhur fundi dhe ka qenë krenari dhe emocion përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar. Në fund, sulmuesi 33-vjeçar i Konyasporit ka uruar bashkëlojtarët e tij për Euro 2024.

Postimi pa ndërhyrje i Sokol Cikalleshit në Instagram

Fundi i një rrugëtimi!

Rrugëtimet jane të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.

Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua.

Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogel pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme.

Falenderoj Zotin për gjithëçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozet Kuq e Zi që meritojne shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze.