Iu afrua shume golit, por ishte edhe i pafat sepse ne nje moment topi i goditur prej tij u perplas ne traverse, megjithate ai ndjehet i lumtur per fitoren e Shqiperise. Sokol Cikalleshi dha intervistën e tij për Supersport pas ndeshjes me Moldavinë. Bomberi u shpreh kështu:

“Kur përfundojmë me fitore le të godas shtylla, nuk është problem. Sot nuk kam asnjëlloj pishmani pasi fituam. Kemi ndryshuar disi por nuk mund të kalojmë në eufori. Sot bëmë detyrën, Europiani është i vështirë, kemi edhe 6 finale. Duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë pasi kemi shumë për të përmirësuar. Kemi trajnerin e duhur dhe na ngelet neve që të bëjmë atë që trajneri kërkon.

Moldavia luante me 5 mbrapa dhe nuk linte hapsira. Nga analizat që kemi bërë, 3 qendërmbrojtësit nuk ngriheshin kur sulmuesi zbriste poshtë. Mua më pëlqen të luaj mes linjave. Në fundin e pjesës së parë u mundova ta kthej lojën time duke qenë më lart dhe duke u bërë mur për shokët.

Në pjesën e dytë shënuam dhe gjërat u bënë më të thjeshta dhe na mbeti të admisnistrojmë rezultatin dhe të gjenim golin e dytë që erdhi. Bëmë një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari më të dobët por ne me këto ekipe kemi vuajtur shumë. Kemi parë një Kombëtare që është në ngritje e sipër. Kemi shumë punë përpara.

Është kënaqësi që tifozët janë lojtari i 12-te i joni. Të gjithë ndeshjen ishin në mbështetje maksimale dhe i falenderoj. Pas Izraelit mendova tërheqjen. Kam 12 vite në Kombëtare dhe kam qenë gjithmonë i gatshëm. Në atë moment i thashë edhe Dukës që nëse është Cikalleshi problemi unë tërhiqem. Në momentin që trajneri u ndërrua unë nuk mund ta braktisja anijen”.