Basketbolli shkodran në vite ka nxjerrë nga rradhët e tij shumë emra të shquar. Një pjesë e tyre kanë marrë meritat dhe nderimet që u takojnë. Të tjerë ndoshta jo dhe aq. Megjithatë secili është munduar të jap kontributin e tij në arritjen e sukseseve të Vllaznisë.
Emri më i dashur për të gjithë në vitet ’80 padyshim që ka qenë Sokol Kalaj, një nga sportistët më të mirë të këtij ekipi por edhe i kombëtares shqiptare.
Ka lindur në Shkodër në vitin 1963. Në fëmijërinë e tij e nis me futbollin por me kalimin e viteve i bashkohet basketbollit dhe kuptohet që nuk bëri zgjedhjen e gabuar. Spikat me ekipet e moshave dhe në vitin 1981 kalon me ekipin e të rriturve të Vllaznisë.
Sokoli nis menjëherë të shquhet për klasin dhe talentin e tij duke u bërë menjëherë jo vetëm titullar i ekipi shkodran por edhe i atij kombëtar. Ka luajtur në pozicionin 4 duke qenë një nga më të mirët në Shqipëri në atë rol.
Do të jepte kontributin e tij që Vllaznia të fitonte Kupën e Republikës në vitin 1985, ndërsa në vitin 1989 bashkë me Mikel Gjonin, Hydajet Kotrrin, Astrit Zaganjorin, Marin Shestanin, Korab Llazanin, Bledar Gjeçajn, Altin Shatkun, Agustin Miculin, Marin Lacukun etj, nën drejtimin e trajnerit Petrit Osmani do t’i dhuronin titullin kampion Vllaznisë. Një titull që Vllaznia e fitonte pas plot 23 vitesh dhe Sokoli do të jepte kontributin e tij.
Vlerësimet për të si sportist dhe si njeri nuk kanë munguar nga ish- kolegë të tij.Fatmir Cuka i Dinamos së atyre viteve do ta rendiste Sokol Kalajn në pesë më të mirët e viteve ’80 në basketbollin shqiptar. Ndërsa Gazmend Çaçi i madh i Partizanit e vlerësonte Kalajn si një ndër
kundërshtarët më të fortë dhe më të vështirë për t’u kaluar. Refik Vorfa ndërkohë do të vlerësonte përveç aspektit sportiv edhe atë njerëzor. “Sokoli mbi të gjitha është shembulli i njeriut të mirë”- do të thoshte Vorfa.
Për këtë karrierë, Federata Shqiptare e Basketbollit e ka nderuar me një “Mirënjohje” në maj të vitit 2014 ndërkohë që në dhjetor të atij viti, Sokol Kalaj ka marrë titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak Shkodër. Mbetet një figurë shumë e respektuar dhe e rëndësishme në historinë e këtij sporti.
Gjergj KOLA