Për fitoren kundër Polonisë ka zgjedhur që të reagojë dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Sokol Kushta, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale, nuk i ndal elozhet për Silvinjon, duke “e ngritur” në qiell trajnerin brazilian. Gjithashtu ai nuk i kurseu dhe thumbimet për ish-trajnerin Edi Reja, duke e quajtur një pensionist i cili erdhi vetëm për para.

“Ky status që në fillimet e trajnerit të ri.. Është ky ndryshim që solli gjithë këto ndeshje dinjitoze të Kombëtares. Shumë veta ishin skeptikë te ky ndryshim. Unë besova te Silvinjo që në momentet e para për një arsye… që ky njeri erdhi si një punëtor, si një qytetarë shqiptar, si një njeri që dashuron vendin ku i dha mundësinë të shprehi mundësinë e tij profesionale.

Unë s’dua te flasë për fitoren, por për bazat që ky hodhi tek ekipi ynë… Kur trajneri Reja pensionisti diskutonte për ekipin tonë, thoshte kaq ka mundësi, ky është temperamenti shqiptar, s’ka lojtarë etj.

Jooooooo zotëri, ti ishe i paaftë të drejtoje këtë Kombëtare. Shqipëria ja që ka mundësi, ja që ka sulmues, mbrojtës, mesfushorë, që ti nuk i aktivizoje. Ja që ne mund të lozim me dinjitet, me forcë, me taktikë. Ja që jemi altruistë në lojë… por çfarë ndodhi?

Silvinjo tregoi, që trajneri mundet të bëjë histori kur nuk vijnë vetëm për lekë. Unë besoj se kjo është Kombëtarja me e mirë e të gjitha kohërave. Pse e them? Se asnjëherë Kombëtarja s’ka bërë 4 ndeshje radhazi dinjitoze. Një kombëtare mbarë shqiptare që ka lozur nga minuta e parë deri në të 98 minutë.

Unë besoj se rruga për në Gjermani sot është shtruar dhe ju garantoj që do më shijojë më shumë se Franca, se jemi me pikët tona jo, të UEFA-s. Urime dhe suksese për ndeshjen me çekët”, shkruan Kushta në postimin e tij.