Sokol Kushta ishte lideri i Flamurtarit në sezonin 1996-1997, derisa kampionati u ndërpre në muajin mars 1997 dhe ish-sulmuesi u largua nga Vlora. Pas ndërprerjes aktuale të kampionatit prej përhapjes së koronavirusit, rasti i parë që të vjen ndërmend është ai i vitit 1997, kur në atë kohë gjithçka u pezullua prej trazirave në vendin tonë.

Sot enkas për gazetën hedh dritë për atë sezon të çduitshëm vetë Kushta. “As sot nuk e di dhe nuk e kuptoj se përse Flamurtari nuk doli kampion atë sezon. Kishim një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë. Si u arrit që të barazoheshin pikët dhe me një të rënë të lapsit të fshihej një kampionat i tërë?!”, thotë ndër të tjera Kushta, ndërsa tregon edhe se si policia dhunonte ekipin e Flamurtarit që në nxehmje.

“Në vitin 1997, ndeshja mes Flamurtarit dhe Tiranës përfundoi 1-0. As sot nuk e di dhe nuk e kuptoj se përse Flamurtari nuk doli kampion atë sezon. Në atë kohë u ndërtua një ekip me blerje. Ishte një Flamurtar që kishte organizim, por kishte edhe motive.

Më shumë nga ai kampionat, më pëlqeu pasi kishte rivalitet mes të gjitha ekipeve. Në një moment ishte Shkumbini në vendin e dytë, pastaj në mbyllje ishte Partizani pas nesh. Në qershor doli papritur Tirana kampione dhe mori kampionatin. Nuk e kuptova se si mund të mbyllet kampionati në një mënyrë të tillë.

Janë dy standarte. Le të bëhen sot 4 ekipe të luajnë “play-off” të barabartë dhe të dali Partizani kampion, pasi Tirana fazën e parë ishte pas Partizanit dhe rreth 11 pikë nga ne…

Flamurtari hante dru nga policia edhe kur futej për nxehmje në një ndeshje. Të them të drejtën nuk është se mbaj mend shumë, por di dhe më kujtohet që ne ishim kampion dimri. Kishim një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë. Si u arrit që të barazoheshin pikët dhe me një të rënë të lapsit të fshihej një kampionat i tërë?! Jam shumë i çuditur, pasi nuk foli njeri për atë që ndodhi. Unë në mars të vitit 1997 ika nga Flamurtari. Po ashtu iku edhe një Brazilian, si dhe shumë lojtarë të tjerë.