Sokol Kushta shikon si shpëtim të Flamur tarit nga rënia ndryshimin e formulës së kampionatit, në të kundërt thotë se e pret Kategoria e Parë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat e cilëson sforcon e klubit për federimin e katër lojtarëve brazilianë si pa vlerë, duke e krahasuar Flamurtarin me një miliarder që, edhe pse ka shumë para, sëmundja e vdes.
Kushta thotë se klubi nuk ka strategji, ndërsa gjërat vihen në vështirësi, pasi çdo ditë, sipas tij, po dalin kontrata të reja që kërkojnë të paguhen. Legjenda vlonjate thotë se Flamurtari duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet në vijim dhe të mos bëjë kompromise.
Kushta, 9 muaj për të shënuar fitoren e parë. A ka ndodhur kjo ndonjëherë, mbani mend?
Është fakt ky. Madje, unë të njëjtën gjë do të thosha edhe në qoftë se do të kishte dy ose tri fitore, por do të ishte në vend të fundit. Flamurtari ka bërë një vit negativ.
Klubi bëri përpjekjet për federimin e 4 brazilianëve. Mendoni se është një sforco e madhe dhe në fund do të ishte një “gropë financiare”?
Klubi ose Sinani, më saktë, ka bërë përpjekje. Kjo është e vërtetë, por vonë, shumë vonë. Leku në momente të caktuara nuk shërben fare. Është si disa miliarderë që kanë shumë lekë, por sëmundja i vdes. Nuk u bëjnë shërbim as miliardat. Kështu është tani Flamurtari.
A mund të shpëtojë Flamurtari?
Unë mund të jem shumë njeri optimist në jetë, por jam edhe objektiv. Flamurtari, po nuk ndryshoi formula e kampionatit këtë vit, do të luajë në Kategorinë e Parë. Unë e kam ngritur me forcë idenë që kampionati duhet të jetë me 14 ose 16 ekipe. Nëse bëhet ligji për sportin, atëherë ndryshon edhe strategjia ekonomike. Ka më shumë ndeshje, ka më shumë lekë dhe sporti është biznes. Duhet të ketë sa më pak ndeshje rutinë, pasi kur bëhet një e tillë, ka vend për abuzim. E them këtë, sepse çfarë mund të këtë një ekip i vendit të fundit dhe luan me një të parë edhe dy herë të tjera? Prandaj, këtë gjë ta shikojnë presidenti me asamblenë.
Çfarë duhet të bëjë FSHF, sipas jush?
Unë mendoj se së pari presidenti i Ligës Profesioniste duhet të mbledhë 16-18 presidentët e klubeve më të forta dhe të bien dakord për një formulë të re dhe t’ia kalojë presidentit Duka që ta trajtojë në Komitetin Ekzekutiv të FSHFsë për ta votuar.