Trajneri i Dinamos, Di Biaxho dha dorëheqjen mbrëmjen e sotme, pas disfatës 2-3 ndaj Teutës me përmbysje, duke hequr dorë nga kontrata 2-vjeçare.

Në lidhje me këtë vendim ka folur edhe legjenda vlonjate Sokol Kushta, i cili i ftuar ne studion e emisionit “Ora Sport”, ka vlerësuar burrërinë e Di Biaxhos, ndërsa shton se të huajt duhet të përshtaten me mentalitetin e shqiptarëve në momentin që vijnë në kampionatin tonë.

“Nëse vjen me mendtë e Italisë në një mentalitet shqiptar, do të dështosh. Këta duhet të përzihen te ky mentalitet, të njohin lojtarët, të njohin klimën. Ka shumë gjëra të errëta në Shqipëri, jo të errëta në kuptimin e keq. Por ka gjëra që funksionojnë ndryshe.

Këtu duhet të menaxhosh shumë gjëra, duhet të menaxhosh edhe punëtorin e fushës. Nuk është e thënë që vetëm leku do të bëjë gjithçka. Diçka te Dinamo nuk funksionon, kjo është e padiskutueshme. Ky trajner pati burrërinë që tha: “Unë iki, lë dhe lekët”. Ai e ndjeu peshën. Ai nuk do që të flasë, se diçka ka. Por ajo shprehja ‘nuk e di çfarë ndodhi’, flet shumë”, ka thënë Sokol Kushta