Ish-futbollisti i Kombëtares, Sokol Kushta, ka bërë një analizë të detajuar pas barazimit 0-0 që Shqipëria regjistroi në shtëpi ndaj Çekisë.
Sipas vlonjatit të njohur, Silvinjo është duke bërë të njëjtat gabime gjithmonë. Ndër të tjera Kushta shtoi edhe se është e palejueshme që trajnerit deklaron se s’kisha mesfushorë në dispozicion.
“Ajo festa simbolike më kënaqi, sepse një pjesë e brezave kanë ikur në heshtje. Është gjë e bukur e federatës sepse ata janë djem që kanë derdhur gjak për atë Kombëtare. Përshtypje më bën tifozët. Më bëri përshtypje edhe një moment për gol i Laçit.
Lumturia më e madhe ishte kur i ra arbitri bilbilit në pjesën e parë dhe thashë Zoti është me ne. Isha i sigurt që pjesën e dytë do të ndryshonte, jo si rrjedhojë ë trajnerit, por sepse nuk mund të ketë një ekip në botë që mban 60 minuta presing.
Jam i zhgënjyer, sepse trajneri bën gabimet e njëjta. Kush është lojtar e kupton që ndeshja nuk fillon kur i bihet bilbilet, por javë para. Çekët dihet se janë të fortë dhe të lartë. Prandaj duhet të merren masa. Ne nuk morëm asnjë masë dhe nuk pati një strategji se si do ta kundërsulmonim.
Pjesën e dytë dolëm më shumë dhe rrjedhimisht loja ndryshoi. Dhe ata u lodhën. Pjesën e parë po të shikosh statistikat ishin skandaloze. Trajneri duhet të merrte masat më shpjet për Asanin, duke ditur që kishte probleme. Është e palejueshme të thotë trajneri i ekipit Kombëtar që nuk kisha mesfushorë. Kishte Hoxhën dhe Muçin në dispozicion. Të merrte edhe Roshin, pastaj të linte fanellën. Nuk mund të thuash nuk ka lojtarë në ekipin shqiptar me kaq shumë kontigjent”, u shpreh Kushta për “Ora Sport”.