Presidenti Pasi kemi kontaktuar, përmes telefonit me presidentin e Besëlidhjes Gjokë Noka, ai pa as më të voglin heziton, na ka konfirmuar faktin se Sokol Meta është trajneri i ri i lezhjanëve, duke qenë i gatshëm për të folur për çdo detaj në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, për momentin, i rëndësishëm është fakti se opinioni ka mësuar emrin e teknikut që do të drejtojë një prej skuadrave kryesore dhe më me traditë në Kategorinë e Parë, atë të Besëlidhjes. “Po, është e vërtetë, që trajneri i ri i Besëlidhjes është Sokol Meta. Është personi i duhur, që me punë dhe përkushtim, por edhe dëshirë dhe motivim për punën, që së bashku ta çojmë Besëlidhjen në Superligë. Për këtë jam i bindur, madje jo vetëm kaq. Por unë e deklaroj që sot, që lezhjanët vitin tjetër, jo vetëm që do të jenë në Superligë, por do të ngjiten, duke qenë “kampion” të Kategorisë së Parë. Kam një grup lojtarësh të shkëlqyer, që nga sezoni i kaluar, të cilin e kemi ruajtur dhe me ndonjë përforcim tjetër, gjatë rrugës, të jeni të bindur se Besëlidhja do të shkojë aty ku e ka patur gjithnjë traditë, pra mes më të mirave të futbollit shqiptar. Edhe me këtë grup lojtarësh që kam, jam i bindur se vitin tjetër do të jemi aty, ku e kemi merituar në fakt prej dy sezonesh, por ndoshta dhe fati nuk ka qenë me ne”, ka thënë mbrëmë për gazetën “Sporti Shqiptar”, presidenti i Besëlidhjes Gjokë Noka. Ky i fundit, duket më shumë se kurrë, i vendosur për të realizuar dhe bërë konkret projektin e tij për një Besëlidhje Superiore.
Stërvitja Pas gati dy muajsh pushim absolut, ekipi i Besëlidhjes, sot në orën 17.00 zbret për herë të parë në fushën e blertë, duke shënuar është edhe startin e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm futbollistik. Kjo do të jetë séance e parë stërvitore për lezhjanët, ku edhe do të prezantohet trajneri i ri Sokol Meta së bashku me stafin e tij, por edhe grupi i lojtarëve, që do të vazhdojnë punën për të ngjitur Besëlidhjen në Superiore. Kështu nga sot, edhe Besëlidhja është në “ring” për sezonin e ri, me të njëjtat synime si më parë, por me një vendosmëri më të madhe se kurrë, se Superliga do të arrihet nga lezhjanët.
Mejdan ZHIVANI