Për disa ndoshta edhe nuk përbën ndonjë gjë të rëndësishme. Kuptohet nëse ka lindur vonë dhe nuk di shumë në lidhje me historinë e sportit shqiptar. Por nëse je pak dashamirës i sportit, kur përmendet emri i Sokol Shepetejës, sigurisht që me të nënkupton kampionin dhe rekordmenin e madh të atletikës. Shkodrani i njohur jeton prej vitesh në Ravena të Italisë bashkë me familjen e tij por nga sporti nuk heq ende dorë. “Kjo është gjëja që mund të bëj më mirë”- thotë ai. Biseda është e gjatë dhe kuptohet edhe kujtime nga fusha e sportit janë të shumta.

Sokoli ka se çfarë të kujtojë nga karriera e tij. E ngacmojmë duke i thënë: A ke nostalgji për periudhën me të cilën je marrë me sport në Shqipëri?”. Përgjigja e tij është e përvuajtshme, aq sa më vështirësi i nxjerr fjalët nga goja.”Kam nostalgji për ato vite aq sa nuk arrij ta shpreh ashtu siç duhet. Sapo kam mbushur 41 vjeç dhe mbaj mend që garën e parë e kam bërë në Elbasan, që në moshën 7 vjeç dhe që atëherë nuk e kam ndërprerë asnjëherë sportin. Jam marrë 20 vjet me atletikë në Shqipëri dhe kam kujtime të mrekullueshme. Kam qenë kampion në vitet 2004 dhe 2005 në garën e 400 metrave, në vitet 2006 dhe 2007 kampion në 200 metra, në vitet 2006 dhe 2007 kampion edhe në 100 m dhe rekord me 10″3. Madje ky rekord është ende në fuqi dhe këto shifra i kanë arritur edhe dy kollosë të tjerë të atletikës shqiptare, shkodranët Oltion Luli e Arben Maka. Mbaj tre rekorde në salla të mbyllura në 400 metra dhe 2 rekorde në 200 metra. Mbaj rekordin me elektronikë me 10″72 në 100 m. Të gjithë këto tituj dhe rekorde sigurisht që kanë patur brenda shumë punë e djersë. Kanë patur shumë emocione dhe rivalitet dhe kanë qenë vërtetë vite të lumtura të  cilat nuk do t’i harroj kurrë”. Prej vitesh jeton në Itali dhe atje nuk ka hequr dorë nga sporti. Stërvitet rregullisht me biçikletë edhe sepse ushtron një sport që quhet triathlon që ka brenda gara noti, çiklizmi dhe atletikë. Shepeteja i perifrazon bukur këto sporte kur thotë: “Komenti im për këto sporte është: Noti nuk më pëlqen, në çiklizëm kënaqem sepse më kujtohen tre të mëdhenjtë, dy Tafilët dhe pika ime e dobët -Brahim Sykja dhe e treta- vrapimi që është gjithçka për mua.Unë e ushtroj rregullisht këtë sport tashmë dhe shpresoj vitin e ardhshëm  të fitoj ndonjë çmim në triathlon”. Pasioni i fshehur për Sokolin duket se është çiklizmi. Madje për shumë vetë që nuk e dinë, ai në fundin e viteve ’80 ka qenë çiklist me ekipin e të rinjve të Vllaznisë përkrah emrave të tillë si Leonard Kola, Ardian Karafili, Ardian Mustafa etj. Merret sërish me këtë sport, ndonëse tashmë si amator por prej tre vitesh stërvitet rregullisht dhe prandaj duket se ai e ka edhe një dëshirë “në sirtar”: Të vijë në Shqipëri dhe të përfaqësojë Vllazninë në garat çiklistike. Ndoshta duket paksa absurde kjo gjë por Shepeteja stërvitet rregullisht në Itali dhe mendon se mund të rivalizojë në vendin e tij me shumë sukses prandaj thotë: “Nëse më jepet mundësia të vij e të garoj për Vllazninë në garat e çiklizmit, do ta bëja me kënaqësi, do realizoja një ëndërr që të kthehem e të marr pjesë në një garë çiklistike, një tjetër pasion ky i rinisë sime”. Ky pra është kampioni dhe rekordmeni i atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare. Vërtetë jeton jashtë si dhe shumë të tjerë, por ia vlen që herëpashere t’i kujtojmë. Për ato çfarë kanë bërë dhe për ato çfarë mund të bëjnë sërish për vendin e tyre.