Trajneri i Realit të Madridit, Santiago Solari, ndau suksesin e fitimit të Kupës së Botës për klube me ish-trajnerin e madrilenëve, Zinedin Zidane. Solari erdhi në vend të Lopeteguit, i cili zëvendësoi në fillim francezin që u largua në fundin e sezonit të kaluar.
Pas fitores 4-1 në finalen ndaj Al Ain në ABU Dabi, Solari tha se kjo fitore ishte e merituar nga lojtarët e tij. “Jemi të gëzuar, këta lojtarë e meritojnë, pasi kanë ardhur këtu pas një pune të madhe dhe shumë sukseseve”, tha ai për TVE.
“E mbyllëm me një trofe, pasi skuadra fitoi Champions-in e tretë radhazi. Kjo është një meritë e lojtarëve dhe ish-trajnerëve që kanë drejtuar klubin. Një falënderim shkon edhe për Zidanin, do të jetë e vështirë që suksesi të përsëritet në të ardhmen”, u shpreh trajneri.
Më pas, ai i bëri komplimente edhe talentit 23-vjeçar, Markos Jorientes, i cili shënoi golin e tij të parë si profesionist për skuadrën e Realit. Loriente bënte pjesë në skuadrën e Zidanit, por francezi e kishte lënë në hije atë.
Tani me ardhjen e Solarit, Joriente është shndërruar në një lojtar kyç në mesfushën e skuadrës së tij. “Ai është një ndër lojtarët e shumtë që ka skuadra. Ka punuar shumë për të qenë pjesë e skuadrës. Ai i meriton të gjitha lavdërimet në adresë të tij”.