93 vjet më parë, pikërisht më 16 shkurt 1919, 75 burra të mençur do të mblidheshin në Shkodër për të themeluar shoqninë “Vllaznija”. Që prej asaj kohe, kanë kaluar shumë vite, shoqëruar me shumë ngjarje e histori sportive. Pikërisht kjo periudhë, ka shërbyer për lartësimin e emrit “Vllazni”. Sot është një emër i nderuar, brenda dhe jashtë vendit. Shkodranët e konsiderojnë si një nga simbolet e tyre. Ndoshta njëlloj si kalanë “Rozafa”. Kjo tregon se sporti në këtë qytet ka qenë dhe do mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së banorëve të tij. Sot është kohë ditëlindje për Vllazninë. Nuk është taman përvjetor i plotë por gjithsesi është festë. Për fat të keq, shumëpak kush e di këtë gjë. Asnjëri nga dy klubet, ai i futbollit dhe ai shumësportësh, nuk ka planifikuar një aktivitet për këtë datë historike. As zyra e sportit në Bashki. Me shumë mundësi, kanë shumë punë të tjera për të ba.
Drejtuesit e tyre janë të mbytur nga punët duke kërkuar të zgjidhin hallet e shumta të sportit që ekzistojnë sot për sportistët dhe trajnerët e ekipeve të Vllaznisë. Askush nuk kujtohet për të ba gja. Mëkat! Ne të gjithë jemi krenuar dhe krenohemi me këtë Vllazni. Emri i saj tashmë është i njohur kudo dhe kjo ka ndodhur nga rezultatet e saj, nga sportistët e mëdhenj që ka nxjerrë në vite. Prandaj në raste të tilla përvjetorësh duhet më tepër kujtesë nga drejtuesit e sportit në Shkodër për t’i festuar ato. E çuditshme por në qytetin tonë, më shumë kujdes dhe investime po bëhen për karnevalet alla-veneciane sesa për Memorialin “Vllaznia 2012” të boksit ku mund të jenë pjesmarrës 20 shtete të botës. Në karnevale nuk janë 20 shtete që marrin pjesë. Më shumë lekë harxhohen për disa maska sesa për një ekspozitë për të kujtuar çfarë ka ndodhur në 93 vjet me historinë e Vllaznisë. Sigurisht që edhe karnevalet kanë vendin e vet. Edhe maskat por Shkodra njihet shumë më tepër për Vllazninë dhe ajo kërkon më shumë vëmendje. Jo vetëm për futbollin që sot administrohet nga Bashkia, por për të gjithë sportet. Sepse është kollaj të thuhet se Vllaznia është emër i madh i sportit shqiptar por për të arritur deri këtu është dashur shumë mund e djersë, shumë investime e punë në vite. Këto duhet të vazhdojnë sërish sepse ritme të tjera duhet ta shoqërojnë sportin sot. Për të mbetur sërish Vllaznia. Megjithatë sot është momenti vetëm të themi: “Gëzuar Vllazni”!
www.shkodrasport.com