E hëna e 22 prillit është dita e fundit që përmbaruesi privat pret oferta nga publiku për 66 për qind të aksioneve të Tiranës. Tej lajmit pompoz që ka tronditur jo pak ambientin sportiv bardheblu dhe atë shqiptar, pasi për herë të parë, në ankand shiten aksionet e klubit më të madh në vend, çështja është se cilat janë zgjedhjet për aksionarët aktualë të KF Tiranës. Janë tri opsionet bazë që mund të zgjidhin çështjen.

OPSIONI 1 – Opsioni i parë, ai i letrave të hapura është shitja e aksioneve. Mund të ketë shitje direkte të aksioneve para përmbaruesit nga një ofrues i drejtpërdrejtë. Shitja mund të mbyllet pas pak ditësh, por mund të ndodhë që në ankandin e parë të mos ketë blerës dhe përmbaruesi të hapë një ankand të dytë me një shifër më të ulët, që do të vendoset. Dita decizive është sot, por të shohim se çfarë do të ndodhë.

OPSIONI 2 – Një tjetër opsion është që vetë familja Halili të riblejë aksionet. Kjo do të thotë se një nga familjarët mund të marrë kontrollet e klubit. Një lëvizje e zgjuar që do të mbante Tiranën sërish në duart e pronarëve aktualë, familjes Halili. Një ndërhyrje mund të jetë që edhe bashkia të blejë aksionet. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë, pasi çdo veprim kryhet nga Këshilli Bashkiak.

OPSIONI 3 – Ka edhe një mundësi të tretë. Menaxhmenti aktual mund të bëjë një marrëveshje me përmbaruesin e kreditorin dhe të paguajë me këste detyrimin që ka. Ankandi do të anulohej dhe jeta do të vazhdonte me Tiranën që do të vazhdonte të ishte nën kontrollin e Refik Halilit.

Shifrat – Qartë duket se shitja nuk është aq e thjeshtë, pasi blerësi i mundshëm duhet të kontrollojë edhe bilancet dhe të ardhurat dhe detyrimet që në këtë moment ka klubi bardheblu. Kujtojmë që Tirana është nën kontrollin e plotë të Refik Halilit që ka viti 2014-të. Në atë kohë qe Këshilli Bashkiak i Tiranës që i kalojë pronësinë e 66 % të aksioneve Halili “sh.p.k”, ndërsa 34 për qind e aksioneve i ngelen Bashkisë së Tiranës.