Sot do të luhet derbi I Veriut për kategorinë e parë, ai në mes Adës dhe Veleçikut. Interesant është fakti se kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Ismail Xhemali”  të Pukës, në këtë përballje të skuadrës velipojake me atë koplikase. Por ndodh kështu sepse të dyja ato, I kanë fushat e paliçensuara nga Federata Shqiptare e Futbollit ngaqë nuk I plotësojnë kushtet. Ndeshja pritet të jetë mjaft interesant por lajmi më I çuditshëm ndoshta është ai I përballjes së trajnervëe Kreshnik Krepi dhe Besnik Duli.

Kjo sepse vetëm një javë më parë, Krepi që sot drejton Adën, ka qenë trajner I Veleçikut dhe e kundërta, Besnik Duli ka qenë trajner I velipojakëve dhe sot drejton koplikasit. Megjithatë tashmë ky është një fakt dhe të dy këto trajnerë do të mundohen të bëjnë më të mirën për skuadrat aktuale që drejtojnë. Për Adën gjërat duken shumë më të vështira. Ajo ndodhet në vendin e fundit në tabelën e renditjes me zero pikë pas katër ndeshjeve të luajtura dhe kjo I ka vënë në presion futbollistët. Trajneri Krepi dhe presidenti Pjetri megjithatë ende besojnë se mund t’ia dalin për ta shpëtuar këtë skuadër nga rënia prej kategorisë. Në kampin tjetër, atë koplikas, ka më shumë entuziasëm. Skuadra ka 9 pikë në renditje dhe ndodhet në pozita komode dhe për më tepër, ka në përbërje një grup lojtarësh të talentuar. Me to, do të tentohet deri në fund që Veleçiku të jetë një nga ekipet më të mira të kampionatit por më parë se të ndodhë kjo, natyrisht që sot duhet të mundë së pari Adën.
Gjergj KOLA