Dita e sotme ka qenë e veçantë për ish- futbollistin dhe ish- trajnerin e Vllaznisë Armando Cungu. Ai ka festuar 46 vjetorin e lindjes bashkë me familjen dhe miqtë e tij.
Cungu është një nga emrat e shquar të klubit shkodran pas viteve ’90 si futbollist teksa ka qenë pjesë e një brezi të talentuar sportistësh të cilët në vitin 1998 u shpallën edhe kampionë të Shqipërisë me Vllazninë.
Menjërë pas këtij suksesi ai ka kaluar në Greqi ku ka luajtur për një sezon me Ethnikos, para se të kthehej sërish tek Vllaznia e më pas ka luajtur edhe me Luftëtarin dhe Teutën. Karriera e mesfushorit të qendrës ka vijuar përsëri me Vllazninë dhe do të mbyllej në sezonin 2004-2005 duke luajtur në Kosovë me Flamurtarin e Prishtinës.
Pas lënies së sportit, do të niste punën si trajner, fillimisht për një periudhë të shkurtër tek Ada, më pas punon tek Vllaznia në rolin e zëvendëstrajnerit të ekipit të parë, vazhdon si drejtor i Akademisë ndërsa në sezonin 2012-2013 merr drejtimin e ekipit të Kukësit si trajner i parë.
Menjëherë për të nisën sukseset duke e çuar këtë skuadër deri në turin e katërt të Kupave të Europës. Bëhet një nga trajnerët më të kërkuar në treg dhe vijon të drejtojë më pas Laçin ndërsa në janar të vitit 2016 merr edhe drejtimin e Vllaznisë me të cilën punon deri në tetor të vitit 2017.
Në sezonin e fundit ka qenë sërish trajner i Kukësit me të cilin ka punuar deri para pak javësh. Aktualisht është i paangazhuar me ndonjë ekip megjithatë mbetet një nga trajnerët më të kërkuar në futbollin shqiptar.Gazeta “Shkodra Sport” i uron Armando Cungut edhe 100 vite të tjera të lumtura.
© shkodrasport.com