Konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë të Vllaznisë së viteve ’90. Rrjedhimisht edhe të kampionatit shqiptar. E kemi fjalën për Alban Nogën, i cili sot ka ditëlindjen. Feston 52 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Albani ka lindur në Shkodër më 14.11.1969 dhe sportin e futbollit e nis herët, në moshën 10 vjeçare teksa rregjistrohet në shkollën sportive “Xheladin Fishta”. Aty ka trajner të mirënjohurin Selami Dani me të cilin punon për disa vite.
Në vitin 1984, kalon direkt me të rinjtë, duke qenë i vetmi 15 vjeçar që luante me këtë grupmoshë. Trajner i këtij ekipi është Selami Dani që ia njeh vlerat dhe prandaj e ofron më herët për të qenë pjesë e tij.
Pas largimit të këtij trajneri, Noga do të punonte me Fatmir Paçramin, Artan Bushatin, Taip Piraniqin e pastaj Agim Medjen. Në vitin 1987 kalon tek të rrituri duke qenë pjesë e një grupi të artë futbollistësh por ai nuk luan asnjë ndeshje zyrtare.
Merr pjesë vetëm në disa miqësore sepse natyrisht nuk kishte vend për një 18 vjeçar kur skuadra ishte mbushur me lojtarë cilësorë. Një vit më vonë nis të aktivizohet e më pas është pjesë e pandashme e formacionit bazë.
Në vitin 1992 shpallet kampion i Shqipërisë me Vllazninë. Në vitin 1998 sërish kampion dhe fitues i Superkupës me Vllazninë. Përveç Vllaznisë, ka luajtur edhe në Laç një fazë, pikërisht në fazën e dytë të sezonit 1996-97 e ky largim nga Shkodra erdhi për arsye ekonomike.
Në fund të karrierës, do të luante pikërisht në sezonin 2000-2001 në fazën e parë në Gjirokastër me Luftëtarin dhe në fazën e dytë me Dinamon. Në sezonin 2001- 2002, luan me Besëlidhjen në Superiore dhe këtu i jep lamtumirën futbollit të luajtur.
Gjatë karrierës së tij është shpallur dy herë fitues i 11-shes më të mirë të kampionatit, anketë kjo që organizohej në fund të sezoneve futbollistike.
Pas lënies së futbollit, nisi karrierën e trajnerit teksa për shumë vite ka punuar tek Akademia Vllaznia ku nuk i kanë munguar sukseset e po ashtu ka punuar edhe në Akademi të ndryshme futbolli në Shkodër.