Janari eshte muaji i ditelindjeve te emrave te medhenj te futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Pak dite me pare, nje kollos festoi 72 vjetorin e lindjes, pikerisht i madhi Sabah Bizi.

Sot nderkohe duhej te ishim duke festuar nje tjeter ditelindje, te nje tjeter personaliteti te futbollit, Medin Zheges, por per fat te keq nuk mund te ndodhte keshtu.

Ish- sulmuesi i njohur i Vllaznise, Dinamos dhe kombetares shqiptare, prej shtate vitesh e gjysem nuk jeton me, megjithate karriera e tij ka bere qe figura e tij te ngulitet ne mendjen e te gjitheve.

Medin Zhega lindi në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, e më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji. Kreu studimet e larta edhe në Intitutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve).

Në periudhën 1963–1979, luajti futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ishte anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Fitoi titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Me Dinamon e Jarecit, Çeços, Dautit, Hysit, etj, e lidh një pjesë e rëndësishme e karrierës së shkëlqyer të tij si futbollist, golashënues, titullar, madje edhe lojtar i Kombëtares në ato vite kur edhe Zhega është protagonist absolut, si dhe një titull kampion në tavolinë pas përjashtimit të 17 Nëntorit (1967).

Por, shumë më e madhe, më e famshme e pasur me trofe e kupa është pjesa e dytë e karrierës, ajo shkodrane. Në Shkodër e pritën me shumë entuziazëm, dashuri e simpati, gjithmonë i duartrokitur.

Luante me të dyja këmbët, nuhatës, lojtar zone dhe shënues i gjithanshëm, edhe pse mbulohej nga mbrojtësit më të mirë të kohës: me kokë, këmbë, në ajër, në dyluftim, driblues dhe njohës perfekt i portës kundërshtare.

Autor i golave me vlerë historike
Si goleador i shquar te Dinamo, Vllaznia, disa prej tyre spektakolarë krejtësisht në repertorin universal të tij janë shumë, por ato “të mëdhatë” që ka realizuar me klube janë dy: kundër Ajaksit, ndonëse luan me Vllazninë, merret si përforcim nga 17 Nëntori për sfidën e shtatorit të 1970 për Kupën e Kampioneve, zhvilluar në “Qemal Stafa”.

Dhe nuk ka zhgënjyer, duke shënuar golin e barazimit në fundlojë, atë 2-2 ndaj kolosëve te ardhshëm të futbollit botëror që udhëhiqnin ndeshjen me shifrat 2-0. Ndërsa goli tjetër, po në Kupën e Kampioneve, këtë herë ndaj një skuadre me famë, e lojtarë kalibri si Austria e Vjenës në përbërje me shumë titullarë të botërorit argjentinas.

2-0 në ndeshjen e parë në “Vojo Kushi” në shtatorin e ’78-ës dhe triumfi ka firmën e Ballgjnit e Medin Zhegës, tashmë në kufijtë e maturimit, por edhe në limitet e sakrificat e fundit të karrierës, pasi është 32 vjeç.

Në vitin 1981 mbaroi shkollën e trajnerëve në Austri. Kreu gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit.
Në vitet 1984-1986 punoi si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ishte trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra ynë Kombëtare, në vitin 2001, fitoi turneun “Rothmans” në Maltë.

Pasi u shkarkua nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai u emërua anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mbajti deri në vitin 2010. Në vitin 2009, gjatë transmetimit të spektaklit për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportesh “Vllaznia”, ai nderohet me titullin “Krenari e Qytetit” të Shkodrës.

Më 5 maj 2011, gjatë një udhëtimi familjar dhe qëndrimi në Toronto të Kanada-së, ai pësoi një aksident i cili fatkeqsisht e dënoi që të mbeste paraplegjik për 13 muaj e 1 javë. Ai vdiq në Tiranë më 12 qershor 2012, në orë 14:00. Më 14 qershor, nën përkujdesjen e “Federatës Shqiptare të Futbollit” u organizuan homazhe në Pallatin e Kongreseve. Ai u varros në varrezat e “Sharrës” po në të njëjtën ditë.
www.shkodrasport.com