Pasditen e sotme do të zhvillohet një sfidë shumë interesante në kompleksin sportiv “Zmijani” në Shkodër. Në orën 17.00 në fushën e tij do të zbresin për t’u ndeshur me njëra- tjetrën dy ekipet e futbollit të femrave të Shkodrës, pikërisht “Juban Danja” dhe Vllaznia.

Përballja në mes tyre do të jetë e vlefshme për turin gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë. Shorti i paracaktuar i FSHF-së ka projektuar këtë përballje të dy ekipeve shkodrane me njëri- tjetrin ndërsa në Tiranë do të luhet gjysmëfinalja tjetër, ajo në mes Tirana AS dhe Apolonisë.

“Derbi” i Shkodrës pritet me interes, megjithatë Vllaznia tashmë kampione në fuqi konsiderohet pretendentja kryesore për ta fituar dhe këtë ndeshje e për të shkuar në finale sepse dëshiron të fitojë edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë që do të ishte i shtati rradhazi për të.

Por vajzat e drejtuara nga trajneri Elis Legata do të mundohen të bëjnë lojën e tyre dhe ashtu siç eliminuan Kinostudion në çerekfinale, pse jo të mos synojnë edhe fitoren ndaj Vllaznisë, ndonëse kjo duket paksa e vështirë, për vetë përbërjen që ka ekipi kuqeblu.