Takimi I sotëm në mes kryebashkiakut Lorenc Luka dhe presidentit të Vllaznisë Agron Çela do jetë shumë përcaktues për të ardhmen e kësaj skuadre. Ai do të zhvillohet mesditën e sotme, të paktën kështu është siguruar nga palët dhe do t’I japë fund shumë enigmave që ekzistojnë rreth kuqebluve. Me shumë të ngjarë, presidenti aktual Agron Çela që nga mesdita e sotme nuk do të jetë më në këtë post ngaqë ia lejon ligji. Edhe transferimi I këtij posti tek I vëllai I tij duket paksa I vështirë sepse gjërat janë disi të komplikuara dhe do merrte kohën e duhur për ta bërë këtë transferim.

Në rrethana të tilla, Vllaznia pritet të kthehet sërish në duart e Bashkisë Shkodër e cila është edhe pronarja e klubit me 100 për qind të aksioneve të saj. Duket se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër më të mirë në këto moment megjithatë duhet pritur takimi I sotëm për t’I vërtetuar të gjitha këto lëvizje.
Presidenti Çela. Ai në çdo deklaratë të tij ka qenë I qartë duke thënë dhe premtuar më të mirën për Vllazninë. Madje, ka arritur deri aty sa t’u premtojë tifozëve ndërtimin e një skuadre kampione. Pa dashur të futemi në detaje të tjera, kjo dukej disi e pamundur sepse skuadra aktualisht ka shumë probleme duke filluar nga ajo e sqarimit të pozicionit të trajnerit Bushati, për të vazhduar me mungesën e lojtarëve cilësorë etj. Përpos mungesës së kohës, ka shumë paqartësi edhe në mënyrën e funksionimit të klubit edhe nga ana financiare. Por ndërkohë, zgjedhja e Agron Çelës në postin e deputetit të parlamentit të ardhshëm, ka ndërlikuar shumë gjërat.  Ana ligjore duket se ia ndalon të qënurit në një pozicion drejtues të ndonjë kompanie apo drejtorie që funksionon në bazë të fondeve publike. Vllaznia si e tillë, pavarësisht se ka një akt- marëveshje mes tij dhe Bashkisë Shkodër, është një shoqëri aksionere me 100 për qind kapital të institucionit të pushtetit lokal. Prandaj dhe Çela pritet të paraqesë dorëheqjen ditën e sotme nga posti I presidentit të Vllaznisë.
Bashkia Shkodër. Mbase mund të jetë e papërgatitur në këto momente por ajo duhet të marrë edhe në herë në dorë tërësisht administrimin e klubit Vllaznia. Me tërheqjen e presidentit Çela ekziston edhe një variant tjetër, ai I transferimit të kontratës që ai ka patur të firmosur me Bashkinë tek I vëllai I tij në mënyrë që ato projekte të vazhdojnë. Por edhe ky kalim do kohën e vet. Duhet miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në fund të muajit korrik dhe prandaj ka jo pak probleme për t’u realizuar. Në kushte të tilla, kryebashkiaku Luka pritet të marrë edhe njëherë tjetër postin e presidentit me të drejta të plota dhe institucioni që ai drejton duhet të fillojë të mendojë menjëherë për ta marrë në dorë situatën sepse nuk ka kohë më për të humbur ngaqë stërvitja duhet të nisë menjëherë.
Vllaznia. Nëse kalon në duart e Bashkisë, Vllaznia do ndodhet menjëherë para disa të papriturave që duhet të marrin menjëherë zgjidhje. Gjëja e parë që duhet të bëjë ajo është t’I japë zgjidhje borxheve të mëparshme që ka ndaj futbollistëve dhe palëve të tjera, më pas të përcaktojë fondin që I duhet për të përballuar gjysmën e parë të sezonit. Njëkohësisht me to, menjëherë duhet përcaktuar se kush do jetë trajneri I saj për sezonin e ri dhe lojtarët. Ajo që duket e sigurtë ka të bëjë me atë që Vllaznia e sezonit të ardhshëm pritet të jetë e gjitha me futbollistë të rinj  që nuk do kenë asnjë pretendim për trofe por për të qëndruar në mesin e tabelës së renditjes dhe për të menduar për promovimin e këtyre futbollistëve të rinj në mënyrë që pas 2-3 sezonesh të ndërtohet një ekip I denjë për trofe. Ideja paraprake kjo është megjithatë duhet parë deri në fund se çfarë do ndodhë. Mbi të gjitha deri pas takimit Luka- Çela sepse ky takim mund të prodhojë edhe zgjidhje të tjera për Vllazninë.
Gjergj KOLA