Opinion nga Prof.Asc.Dr Artan Shyti
Dita e sotme është një ditë e rëndë për sportin. Jo vetëm për faktin se sportisti ynë i madh Erkand Qerimaj rezulton të ketë përdorur një medikament që brenda përmban një substancë, e cila është në listën e atyre të ndaluara nga Agjensia Botërore e Antidopingut. Kjo është një ditë e rëndë, sepse po shohim se si një kampion i madh është lënë pothuaj vetëm në hallin e tij dhe gati po linçohet nga ata që duhet të ishin të parët për ta mbrojtur, dëgjuar e, pse jo, justifikuar, pra nga ne, njerëzit e sportit.Sepse Erkandi mund të ketë përdorur një medikament që nuk ia dinte përbërësit, sepse Erkandi, megjithëse është sportist elitar, nuk ka sot në dorë një udhëzues të shkruar nga komisioni ynë Antidoping, ku të thuhet se çfarë duhet të përdorë dhe çfarë jo kur sëmuret, sepse edhe ai është një njeri i zakonshëm e mund të sëmuret, mund t’i jenë zënë hundët e mund të ketë marrë një ilaç për zhbllokimin e tyre që ka rezultuar fatal. Mund të ketë shumë hipoteza, ashtu siç mund të jetë edhe hipoteza që Erkandi ka përdorur me vetëdije substancë të ndaluar. Unë nuk dua ta besoj këtë të fundit, por nuk është këtu problemi. Personalisht jam i bindur që sot, përpara se të bëhemi akuzuesit e tij, ne njerëzit e sportit, duhet të jemi dashamirët e tij. Populli thotë që miqtë njihen në ditë halli. Dhe ne, njerëzit e sportit, kudo qofshim, sot duhet të jemi akoma miqtë e tij.
Por duket se Erkandi ka patur disa miq vetëm në ditë festimesh, kur rendnin të dilnin në TV përkah tij, a thua se edhe ata kishin mbajtur mbi shpatulla mijëra kilogramët që ai ka ngritur për t’u bërë Kampion Evrope, kur nxitonin t’i jepnin tituj e medalje, ndonjëherë të çuditshme, për t’u regjistruar si pjesë e suksesit të tij e trajnerit të tij.
Unë nuk e mbroj Erkand Qerimajn. Nëse ka bërë një gabim, duhet të paguajë. Por gabimet janë gabime. Ato mund të jenë edhe produkt i një veprimi aksidental në kushtet e mungeses së informacionit. Vetëm kur të qartësohet çdo detaj, atëhere, ne të paktën, njerëzit e sportit, mund të flasim.
Ndërkohë Erkand Qerimaj është kampioni ynë i dhjetë viteve të fundit, një sportist e djalë model karriera e të cilit natyrisht që është ridimensionuar nga ky moment, por kurrë nuk mund të përbaltet në të gjitha dimensionet e saj.
Uroj që bindja ime për një veprim aksidental të jetë realitet në mënyrë që Erkandi të rikthehet në vendin që i takon dhe që e meriton plotësisht për të gjitha vitet e sakrificave të jashtëzakonshme që ka bërë në sport dhe për kënaqësinë që na ka dhuruar me sukseset e tij të paharruara.