Një shtunë e pasur me ndeshje dhe e mbushur me emocione në ekranin e Supersport. Kategoria Superiore vjen sot me të gjitha sfidat e javës së 32-të, pasi në mesjavën e ardhshme do të luhet raundi i 33-të.

Laçi-Skënderbeu përballë, nuk është finalja e Kupës, për atë duhet pritur 27 maji, me të dyja skuadrat që gjithsesi kanë mundësinë e një testi gjeneral të matjes së forcave në sfidën e kampionatit.

Matematikisht ekziston mundësia që Skënderbeu të sigurojë titullin, do të duhej një ndërthyrje e fitores në Laç me humbjen e Kukësit ndaj Lushnjës.

Diçka që ka pak gjasa të ndodhë, por për skuadrën e Dajës është një sfidë për t’u fituar pas humbjes ndaj skuadrës së Pacult, me Dajën që synon të mbyllë sa më shpejt çështjen titull.

Për Laçin në lojë është Europa, vendi i katërt i çon automatikisht në kompeticionet kontinentale duke qenë se janë edhe në finalen e Kupës, dhe gara në distancë në kampionat është momentalisht me Partizanin.

Në kampionat bëhen 5 ndeshje radhazi pa fitore me skuadrën e Mezanit që i duhet të kërkojë rikthimin te trepikëshi ndaj Skënderbeut, edhe pse duke patur parasysh shkallën e vështirësisë edhe një barazim nuk do të tingëllonte keq në Laç.

Në përballjen e fazës së dytë në shtëpinë e tyre ishin pikërisht kurbinasit ata që i shkaktuan humbjen e parë sezonale në kampionat kampionëve që presin kurorëzimin e matematikës, ndërkohë që në fazën e tretë Skënderbeu ja doli ta bënte shumë të thjeshtë fitoren duke e mundur Laçin 4-0.

Problemet për sa i përket organikës nuk mungojnë në të dyja kampet dhe vijnë kryesisht nga mbrojtjet, ajo e Laçit nuk do të ketë kapitenin Sefgjini të skualifikuar për kartonin e kuq që mori ndaj Vllaznisë,

në vend të tij pritet të jetë Shkalla, te Skënderbeu po për shkak kartonash nuk do të jetë Mici që i hap rrugën e formacionit titullar Abazit.

Lajm i mirë për Ilir Dajën rikuperimi i Radas që është bashkuar në stërvitje me grupin, ndërkohë që boshllëku i krijuar Osmani i padisponueshëm në mesin e fushës do të plotësohet nga Bruno Dita, në mesfushën e Laçit, mbetet ende jashtë Eskuerda.

Edhe në mungesa në barazim Laçi-Skënderbeu, një ndeshje për të mos u humbur në të shtunën e pasur të Supersport.

Kukësi u nis me një objektiv në Korçë ” Skënderbeu të mos e festojë titullin” dhe ja arriti qëllimit falë një tjetër kryevepre të Gurit.

Ky sukses nuk ishte thjesht për çështje prestigji, por edhe për ta mbyllur përfundimisht diksutimin në lidhje me vendin e dytë në rendijte, teka me ketë fitore Kukësi bëhet dhe skuadra që ka grumbulluar me shumë pikë në transfertë.

Sigurisht matematika ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, por 8 pikët distancë me Luftëtarin praktikisht i kanë siguruar verilindorëve të ashtuquajturin vend nderi.

Takimi i ardhshëm nuk duket më i vështiri i mundshëm përballë Lushnjës që e ka prerë tashmë biletën për në Kategorinë inferiore prej kohësh tashmë,

megjtihëse sfida e javës së 31-të mes lagunravë dhe Partizanit dëshmoi edhe një herë se asnjë kundërshtar pavarësisht formës apo gjëndjes nuk meriton të nënvlerësohet.

Pritet që tekniku i Lushnjës, Ilir Gjyla të vazhdojë aktivizimin e lojtarëve të rinj.

Verilindorët sigurisht kanë edhe një motiv tjetër për ta fituar sfidën. Ajo humbje e papritur 3-1 në shtëpinë e tyre gjatë kohës kur ekipin e drejtonte Milinkovic la shije të hidhur, teksa tashmë është momenti për t’u hakmmarrë.

Trajneri Peter Pacult po mendon të bëjë dhe ndryshime në formacion. Kristi Joti dhe Klevis Sadiku janë vlerësuar me nota pozitive nga tekniku 58-vjeçar që me shumë gjasa do t’u japë shansin të tregojnë aftësitë e tyre ndaj Lushnjës.

Amido Balde i cili është rikuperuar nga dëmtimi gjithashtu mund ti ofrohen minuta, ndërsa Kale është i skualifikuar.

Aktivizimi i të rinjve është deri diku edhe i detyruar për trajnerin austriak. Sidoqoftë ndaj Lushnjës në Zeqir Ymeri, Kukësi do të kërkojë të hipotekojë përfundimisht pjesëmarrjen në Europa League.

Herën e fundit përfundonte në barazim 2-2, me golin e Moçkës të destinuar të mbetet si një ndër momentet më pikante të këtij kampionati.

Dënonte Partizanin e Starovës por në një farë mënyre i bënte nder Dalipit, pasi i hapte rrugën e marrjes së drejtimit të skuadrës.

Aventura e teknikut elbasanis nisi mirë, por në këto 3 ndeshjet e fundit të kuqtë kanë përjetuar një seri negative, kapitullim përballë Kukësit,

një humbje e pafat me Skënderbeun dhe një barazim tejet i sikletshëm ndaj Lushnjës, rruga drejt Europës është komplikuar seriozisht dhe Partizanit i duhet të rikthehet te fitorja ndaj Teutës për të mbajtur gjallë shpresat për kompeticionet kontinentale, pa to vështirë se Dalipi do të konfirmohej.

Për Teutën është një çështje mbijetese, në barazimin me Kamzën macja e zezë ishte sërish Moçka, nuk shënoi golin e sekondës së fundit por ishte e tija shtytja që solli golin e 3-3,

një rezultat që i lë bregdetarët në vendin e parafundit të klasifikimit.

Teutës i duhet të marrë gjithçka në javët e mbetura dhe vjen në kryeqytet me synimin e qartë për të dhënë maksimumin, pa u intimiduar nga klasifikimi apo kualitetet e Partizanit,

ndërkohë që një faktor plus për skuadrën e Begejas është fakti që luhet pa tifozë, një detaj jo i vogël sidomos për klubin e kuq që te mbështetësit e tij gjen gjithmonë një shtysë të fortë.

Për sa i përket organikës te Partizani ka shfaqur shqetësim Çani por janë rikthime të rëndësishme ato të kapitenit Batha, Jasir Asanit dhe Gerhard Prognit, të tre futbollistë me status titullari,

Dalipi ka vetëm vështirësinë e përzgjedhjes, këte herë i duhet të evitojë një barazim të sekondës së fundit si ai i Moçkës, ndryshe nga ai që i dha timonin e Partizanit, këtë herë mund të rezultojë fatal për shanset e të kuqve për Europën dhe të tijat për tu konfirmuar në stol.

Fitorja ndaj Vllaznisë si detyrim për Flamurtarin, për të hedhur pas shpine problemet e vitit 2018, por mbi të gjitha për të shpresuar ende te Europa.

Ky është objektvi i vetëm i mbetur për vlonjatët, që në gjysmën e parë të kampionatit u cilësuan si skuadra që mund të rivalizonte Skënderbeun për titullin, ndërsa synonte ta mbyllte sezonin me fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Ecuria larg pritshmërive dhe rezultatet negative ridimensionuan objektivat dhe u shoqëruan me dorëheqjen e trajnerit Duro.

Tashmë kërkohet pjesëmarrja në Europa League, edhe pse prej zhgënjimeve të një pas njëshme në fushë, askush nuk e thotë me zë të lart.

Matematika ua lejon kuqezinjve të besojnë, por te Flamurtari e dinë shumë mirë se për të luajtur në ndeshjet ndërkombëtare duhet shumë sforco dhe dëshirë dhe sigurimi i një “bilete” nuk do të jetë i lehtë.

Duke nisur nga dueli me Vllazninë.Kundërshtarët e radhës janë dëshpërimisht në kërkim të pikëve të mbijetesës dhe do të bëjnë të pamundur që të evitojnë humbjen.

Një mur që duhet kaluar, ku diferencën duhet ta bëjë sulmi me kapitenin Busic dhe Muarem, ndërsa Danilo Alvesh është në garë me kohën për t’u rikuperuar.

Në Vlorë kanë vendosur të mos flasin, për të evituar premtimet që më pas janë të vështira për tu mbajtur në fushë.

Punë në heshtje për ekipin, që në pesë ndeshjet e fundit ka koleksionuar dy fitore dhe tre humbje.

Kthesa kërkohet nga përballja e radhës në shtëpi me shkodranët. Vetëm fitorja do ta mbante Flamurtarin në garë me Partizanin dhe Laçin, për të besuar te Europa.

Deri në fazën e tretë, Kamza-Luftëtari ishte një duel për Europën. Tashmë situata ka ndryshuar.

Skuadra nga periferia e kryeqytetit do të presë në shtëpi gjirokastritët, me objektivin për të grumbulluar pikë mbijetese. Sfida e 5 marsit, e fituar minimalisht nga Luftëtari me golin e Donald Rapos, ndryshoi sezonin për të dyja skuadrat.

Bluzinjtë e Hasan Likës u projektuan bindshëm drejt arenës ndërkombëtare, ndërsa Kamza nisi të humbiste terren dhe tashmë e sheh veten të rrezikuar në zonën e rënies nga kategoria.

Gjirokastritët paraqiten në këtë sfidë pas pesë rezultateve pozitive radhazi, duke regjistruar katër fitore dhe vetëm një barazim.

Me pak fjalë, ata janë një prej skuadrave më në formë të kampionatit dhe që synon të mbajë vendin e tretë në renditje, për të luajtur në Europa League.

Kamza ka edhe handikapin e fushës, që në këtë edicion nuk ka qenë pika më e fortë e skuadrës, ndërsa edhe mungesa e Abazajt të rivalët nuk shërben për të dhënë qetësi, sepse Luftëtari mbetet i frikshëm në fazën sulmuese me Dejvi Bregun, Rrocën dhe Shkurtajn.

Katër pikët e grumbulluara në dy ndeshjet e fundit e kanë rritur disi moralin e ekipit të drejtuar nga Julian Ahmataj, që vinte nga katër humbje radhazi.

Megjithatë, nuk është ende koha për t’u relaksuar. Vllaznia është vetëm 2 pikë larg, ndërsa distanca nga Teuta në zonën e ftohtë është 4 pikë.

Ndaj Luftëtarit nevojitet një tjetër rezultat pozitiv, edhe pse misioni nuk është i lehtë.