Katër skuadra do të luftojnë javën e fundit për mbijetesën. Skënderbeu e Bylis, që ndeshen bashkë, mund të shpëtojnë direkt, ndërsa Tirana dhe Laçi mund të shpëtojnë vetëm me play-out, por nëse nuk fitojnë të dielën bien direkt të dyja.
Katër skuadra janë në luftë për mbijetesën në javën e fundit të sezonit të rregullt në Abissnet Superiore dhe dy prej tyre nuk kanë shanse të shpëtojnë direkt nga rënia në Kategorinë e Parë. Në rastin më të mirë, Tirana ose Laçi duhet të luajnë në play-out me fituesin e çiftit Besa-Pogradeci për të qëndruar në Abissnet Superiore, por për të arritur deri aty duhet të fitojnë patjetër të dielën, Tirana me Dinamon në Rrogozhinë dhe Laçi me Vlazninë në Shkodër. Por fitorja nuk jep të njëjtin rezultat për të dyja.
Nëse fiton, Tirana është e sigurt që shkon në play-out, çdo rezultat tjetër e rrëzon në Kategorinë e Parë. Laçi duhet të fitojë me Vllazninë, por shkon në play-out vetëm nëse Tirana dhe Skënderbeu nuk fitojnë, ky i fundit kundër Bylisit në Korçë. Laçi ka avantazh ndaj korçarëve në përballjet direkt, nëse barazohen me pikë. Skënderbeu, aktualisht në vendin e tetë, shpëton nëse fiton kundër Bylisit. Barazimi, por edhe humbja e çojnë në play-out nëse Tirana dhe Laçi nuk fitojnë, pasi këto kanë dy pikë më pak.
Bylis, me 39 pikë, i ka më të thjeshta llogaritë, një barazim e mban në Superiore. Nëse humbet, shkon në play-out nëse Tirana nuk fiton. Ekzistojnë edhe dy skenarët që në fund të ketë tri skuadra me nga 39 pikë, gjithmonë me detyrimin që Tirana e Laçi të fitojnë patjetër. Nëse këto fitojnë dhe Skënderbeu barazon me Bylisin, barazohen me nga 39 pikë dhe duke llogaritur vetëm pikët midis treshes, Tirana shkon në play-out, Laçi e Skënderbeu bien.
Nëse Skënderbeu mund Bylisin dhe Tirana e Laçi fitojnë, sërish Tirana shkon në play-out si më e mira në klasifikimin me pikët vetëm brenda treshes dhe Bylis e Laçi bien në Kategorinë e Parë.