Sot ka “lindur” Juventusi i ri. Janë zyrtarizuar emrat, pjesë e listës që “Exor”, aksioneri mazhoritar i klubit bardhezi, ka depozituar brenda afateve të përcaktuara që drejtorët e rinj të marrin detyrën nga data 18 janar. Konfirmohet se president do të jetë Gianluca Ferrero, ndërsa Maurizio Scanavino, ish-drejtor i përgjithshëm, do të hyjë në bord si drejtor menaxhues. Të nominuar ishin edhe Fioranna Vittoria Negri, Diego Pistone dhe Laura Cappiello, që do t’i bashkohen bordit të drejtorëve.
1. Fioranna Negri
Kontabiliste, audituese dhe e regjistruar në regjistrin e Konsulentëve Teknikë të gjykatës së Milanos. Ajo ka fituar një përvojë 35-vjeçare në kompani të sektorëve të ndryshëm, të listuara dhe të palistuara. Ajo është eksperte në auditimin dhe pasqyrat financiare, si dhe kontrollin e riskut. Kryen detyra profesionale në kompani si Satispay, Wikimedia, Guala Closures, Fincantieri dhe Autostrade per l’Italia.
2. Maurizio Scanavino
Së fundi, drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ai po përgatitet të marrë edhe rolin e drejtorit ekzekutiv, duke filluar nga 18 janari. Ai është gjithashtu CEO i GEDI, kompania mediatike që boton Repubblica, La Stampa, 10 gazeta lokale, Radio Deejay dhe platformën audio dixhitale OnePodcast. Inxhinier telekomunikacioni, ai mori pjesë në rihapjen e Grupit Fiat të udhëhequr nga Sergio Marchionne. Një ekspert në transformimin e biznesit, ai po zbaton evolucionin dixhital të GEDI, duke u fokusuar në teknologjitë e reja dhe blerjet e synuara.
3. Gianluca Ferrero (presidenti)
I diplomuar për Ekonomi dhe Tregti, ai është kontabilist, auditues dhe konsulent teknik i gjyqtarëve në Gjykatën e Torinos. Ai ka ndihmuar gjithmonë kompani dhe organizata të ndryshme të lidhura me familjen “Agnelli”. John Elkann e zgjodhi atë si president, duke e thirrur të formonte një bord drejtues të përbërë nga ekspertë dhe profesionistë, me detyrën për të mbrojtur Juventusin. Ai është gjithashtu nënkryetar i “Banca del Piemonte”, si dhe anëtar i bordit të brejtorëve të Grupit të Pavarur të Italisë. Gjithashtu mban pozicione në shumë kompani, duke përfshirë Fincantieri, Luigi Lavazza, Biotronik Italia, Praxi Intellectual Property, Nuo dhe Lifenet.
4. Diego Pistone
I diplomuar në Ekonomi dhe Tregti, ai mburret me përvojën 48-vjeçare në fushën e financave dhe kontrollit të shumë kompanive, në Itali e jashtë saj. Ai është marrë me sisteme furnizimi, pas shitjes, zhvillimin e rrjeteve tregtare, kontrollin e menaxhimit dhe administrimin e kompanive të ndryshme të grupit “Fiat” (duke përfshirë Teksid, Magneti Marelli, Fiat Auto). Që nga viti 2022 është drejtor dhe CFO i “Finde”, një kompani holding e grupit “Denegri”, si dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Diasorin.
5. Laura Cappiello
Ajo është eksperte në drejtësi dhe organe mbikëqyrëse. E diplomuar në drejtësi, e regjistruar në Odën e Avokatëve të Milanos, ajo është këshilltare e lartë në departamentin e ligjit të korporatave të firmës ligjore Orrick. Ajo është marrë me bashkimet dhe blerjet, ligjin e korporatave dhe ligjin penal të korporatave, duke ndihmuar Fondo Atlante, Microsoft Corporation, Enel, Enel Green Power, Leonardo dhe kompani të tjera në transaksione të jashtëzakonshme. Ka punuar për kompani të shumta italiane, duke u kujdesur për përgatitjen e modeleve organizative, ka pasur edhe postin e presidentit në organe të shumta mbikëqyrëse.
BORDI I DREJTOREVE
1. Fioranna Vittoria Negri (*)
2. Maurizio Scanavino
3. Gianluca Ferrero
4. Diego Pistone
5. Laura Cappiello (*).
Kandidatët e shënuar me simbolin (*) kualifikohen si drejtorë të pavarur në bazë të nenit 148, pika 3, të Dekretit Legjislativ nr. 58/1998 (“TUF”), siç referohet në nenin 147-ter, paragrafi 4, i TUF, si dhe në zbatim të Kodit të Qeverisjes së Korporatave të miratuar nga Komiteti i Qeverisjes së Korporatave.