Periudha e pranverës si zakonisht shoqërohet gjithmonë me zhvillimin e garave më të rëndësishme të atletikës për moshat dhe kështu ka ndodhur edhe sivjet.

Gjatë ditës së sotme, në “Elbasan Arena” do të zhvillohet kampionati kombëtar i atletikës për grupmoshat U-13 dhe U-15.

Ndër ekipet e tjera pjesmarrëse padyshim që do të jetë edhe Vllaznia. Sipas kryetrajnerit të saj Albert Marashi, ekipi ka pretendimet e veta për trofe edhe në këtë kampionat.

“Ne kemi kohë që përgatitemi për këtë kampionat të moshave dhe jemi më shumë të fokusuar tek garat me 15 vjeçarët sepse me këtë moshë kemi elementë të spikatur dhe besoj se do të jemi kampionë të Shqipërisë për vitin 2018.

Ndërsa me 13 vjeçarët do të synojmë të kapim disa vende të para në disiplina të ndryshme sportive”- ka deklaruar ai për “Shkodra Sport”.

Ndërkohë po gjatë muajit prill do të ketë edhe të tjera aktivitete sportive siç janë kampionati i 18 vjeçarëve por edhe Kupa e Shqipërisë për të rritur.

Padyshim që edhe në këto aktivitete, atletët e Vllaznisë do të synojnë të zënë vende të parë dhe t’i dhurojnë të tjera trofe Shkodrës.
© shkodrasport.com