Nuk ishte faji i Tiranës që e mposhti 2-1 Vllazninë në javën e fundit të sezonit 2008-2009 dhe më pas festoi titullin në “Qemal Stafa”, por as faji i Vllaznisë që pas atij barazimi pa gola, po në javën e fundit të sezonit 2016-2017, rrëzoi për të parën herë në histori Tiranën në Kategorinë e Parë. Në fund të fundit, secila bëri llogaritë e veta dhe njëra iu gëzua kampionatit dhe tjetra mbijetesës.

Kanë kaluar vite dhe ndoshta gjithçka i përket së shkuarës, por rivaliteti historik nuk mund të harrohet assesi. Dhe ndoshta sot është dita e duhur për pak… revansh. Vërtet do të luhet pa tifozë kjo “klasike”, por spektaklin do ta ketë të garantuar.

E domosdo, pasi përballë do të jenë dy klubet më të vjetra dhe më me traditë në futbollin shqiptar. Luhet në kushte tërësisht të ndryshme, por çdo rezultat do t’i hapte vërtet punë kundërshtarit.

Shkodranët e Hysen Dedjes duan të shmangin “play out”-in dhe rrjedhimisht rënien, por sigurisht që do t’u ngacmohej sedra nëse do ta ndalnin pikërisht kryesuesit, që në shtëpi nuk thyhen prej 193 ditësh (9 ndeshje konkretisht).

Bardhebluve të Emanuel Egbosë vazhdon t’u peshojë ai duel mbijetese më 27 maj që solli rënien në inferiore, ndaj një formë për të marrë hak do të ishte edhe një fitore në “Selman Stërmasi”.

E nëse kjo ndodh, atëherë ethet e mbijetesës për Vllazninë do të shtoheshin ndjeshëm. Për kryeqytetasit çdo hap tjetër i gabuar do të rezultonte fatal dhe do të zhbënte gjithë punën e bërë në këtë sezon. Tashmë që e kanë vetëm 6 pikë larg Kukësin, edhe barazimin e kanë të ndaluar.