Nga Endri ÇINARI
Bylis do jetë vizitor në javën e 6-të të Superiores në Shkodër përballë Vllaznisë. Mallakstriotët vizitojnë kuqeblutë pas një disfate të thellë në javën e fundit. Ku u mposhtën me shifrat 4-0 ndaj Egnatias. Dhe ekipin e drejtuar nga Egbo e pret një tjetër sfidë e fortë edhe sot. Me dy ekipe në formë të ndryshme, ballshiotët do tentojnë për të nisur kthesën në “Loro Boriçi”.
Për këtë arsye edhe trajneri nigerian ka hartuar formacionin që do zbresë në fushë sot në orën 17:00. Kështu nga porta pritet ta nisë Hasanbelli, i cili pavarësisht se mund të ketë shfaqur luhatje cilësohet si titullar i ekipit. Në mbrojtje Bruno dhe Abazaj pritet të formojnë dyshen e qendrës. E në krahët e prapavijës priten Papa në të djathtë dhe Peralta në të majtë.
Në mesfushë duket se ka një balotazh, ku Ruçi ka fituar pikë ndaj Ayodeji, që mendohet se do e nisë nga stoli. Po ashtu në mesfushë priten edhe Ofori dhe Përgjoni. Sulmin e Bylis pritet ta udhëheqë si pikë referimi, Mario Gjata. Ish-sulmuesi i Apolonisë do ketë edhe mbështetjen e Walisson dhe njërit mes Sulovarit dhe Wendel.
Bylis aktualisht ndodhet në vendin e parafundit të renditjes. Me 5 pikë të fituara pas 5 ndeshjeve të para. Duke treguar qartazi vështirësitë e këtij fillim sezoni për ta. Dhe në një ndeshje si ajo kundër Vllaznisë, ku ata nuk shihen aspak favoritë. Skuadra e Egbo do tentojë gjithçka në Shkodër ndaj kuqebluve për një rezultat pozitiv./www.shkodrasport.com/